Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është anuluar seanca gjyqësore e paraparë të mbahej sot ndaj Momir Pantiqit dhe Zharko Zariqit, të akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile shqiptare gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.

Anulimi i seancës është bërë pas një kërkese të paraqitur nga mbrojtja në seancën e kaluar, ndërsa për këtë është njoftuar nga zyra e kryetares së trupit gjykues, Donikë Shala-Abdyli.
Dy të akuzuarit përballen me akuza të rënda që përfshijnë vrasje të civilëve shqiptarë, tortura, trajtim çnjerëzor dhe dhunë seksuale gjatë vitit 1999.
Sipas aktakuzës së ngritur më 1 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Momir Pantiq, ish-kryeshef i Stacionit Policor në Istog, dhe Zharko Zariq, ish-polic, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.
Akuzat për masakrën në Burgun e Dubravës
Në aktakuzë përshkruhen ngjarjet e majit të vitit 1999 në Burgun e Dubravës, ku të burgosurit shqiptarë dyshohet se iu nënshtruan dhunës sistematike nga forcat policore serbe dhe gardianët.
Më 19 maj 1999, pas bombardimeve të NATO-s, ku kishin mbetur të vrarë tre të burgosur shqiptarë, Pantiq, në cilësinë e kryeshefit të Policisë, dyshohet se së bashku me forcat policore serbe kishte marrë kontrollin e situatës.
Sipas Prokurorisë, pas përfundimit të bombardimeve, pjesëtarë të forcave policore dhe gardianë kishin hyrë në dhomat e të burgosurve shqiptarë, duke ushtruar dhunë fizike dhe trajtim mizor ndaj tyre për shkak të përkatësisë etnike.
Aktakuza përshkruan edhe ngjarjet e 21 dhe 22 majit 1999. Pas bombardimeve të tjera, ku thuhet se humbën jetën 18 të burgosur shqiptarë, forcat serbe dyshohet se i kishin grumbulluar të burgosurit në fushën sportive të burgut.
Aty, sipas pretendimeve të Prokurorisë, ndaj tyre ishte hapur zjarr me armë të ndryshme, ndërsa nga pjesa e pasme e murit të burgut ishin hedhur edhe bomba.
Akuza edhe për dhunime seksuale dhe vrasje të familjeve shqiptare
Përveç krimeve në Burgun e Dubravës, aktakuza përfshin edhe pretendime për rrëmbimin dhe dhunimin seksual të civilëve shqiptarë.
Sipas Prokurorisë Speciale, forcat policore serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e Pantiqit, dyshohet se kishin rrëmbyer dhe dhunuar seksualisht një civil shqiptar, të identifikuar me pseudonimin “A1”.
Në aktakuzë përshkruhet edhe dhunimi seksual i një viktime tjetër, të identifikuar si “B1”.
Dy të pandehurit ngarkohen gjithashtu me akuza që lidhen me vrasjen e pjesëtarëve të disa familjeve shqiptare në Komunën e Istogut gjatë luftës.
Procesi gjyqësor ndaj tyre pritet të vazhdojë në një datë tjetër, ndërsa akuzat e Prokurorisë mbeten për t’u shqyrtuar dhe provuar në gjykatë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





