Shufra metalike për matjen e nivelit të vajit të motorit, e cila për dekada ka qenë pjesë e zakonshme e veturave, po zëvendësohet gradualisht nga teknologjia elektronike në modelet e reja.

Në vend të kontrollit manual, gjithnjë e më shumë prodhues po përdorin sensorë që matin nivelin e vajit dhe i shfaqin të dhënat drejtpërdrejt në panelin e instrumenteve ose në ekranin e automjetit.
Sipas prodhuesve, ky ndryshim lidhet me mënyrën se si shoferët i përdorin veturat moderne, duke pritur që sistemet e integruara t’i njoftojnë automatikisht për problemet e mundshme, pa pasur nevojë të hapin kapakun e motorit.
Andrew Brudnicki nga Mercedes-Benz ka shpjeguar se matja elektronike mund të ndihmojë në parandalimin e dëmtimeve të motorit, duke i paralajmëruar shoferët kur niveli i vajit bie nën kufirin e lejuar ose tejkalon vlerat normale.
Kjo teknologji mund të zvogëlojë edhe rrezikun e gabimeve gjatë matjes manuale. Një veturë e parkuar në sipërfaqe të pjerrët ose matja në kushte të papërshtatshme të temperaturës mund të çojë në lexim të pasaktë të nivelit të vajit.
Michael Crossen nga organizata Consumer Reports ka paralajmëruar se shoferët mund të shtojnë më shumë vaj sesa duhet, duke menduar gabimisht se niveli është i ulët. Mbushja e tepërt mund të shkaktojë probleme me motorin, ndërsa përdorimi i vajit të papërshtatshëm mund të ketë pasoja për veturën.
Një tjetër faktor që po ndikon në këtë ndryshim është siguria. Veturat moderne, veçanërisht ato hibride, kanë komponentë me tension të lartë, duke e bërë ndërhyrjen nën kapakun e motorit më të ndërlikuar dhe potencialisht të rrezikshme për personat pa njohuritë e nevojshme.
Megjithatë, sistemet elektronike nuk janë pa të meta. Ato varen nga funksionimi i sensorëve dhe pajisjeve elektronike, ndërsa në rast defekti shoferi mund të mos ketë mundësi ta kontrollojë nivelin e vajit në mënyrë tradicionale.
Përkundër përparësive të teknologjisë së re, shufra tradicionale mbetet një mjet i thjeshtë dhe praktik për kontrollin e drejtpërdrejtë të vajit. Për këtë arsye, kombinimi i të dyja metodave do t’u mundësonte shoferëve të përfitonin nga lehtësia e sensorëve elektronikë dhe siguria e kontrollit manual.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




