Këngëtarja e njohur shqiptare, Vesa Luma, ka reaguar ashpër pas publikimit të një audio-incizimi, në të cilin dëgjohet e ndjera Arlinda Zekaj duke kërkuar ndihmë nga një zyrtar policor në Pejë, para se të vritej tragjikisht.

Rasti, i cili ka tronditur opinionin publik ditëve të fundit, ka nxitur reagime të shumta dhe ka ngritur pikëpyetje serioze lidhur me përgjegjësinë e institucioneve për mbrojtjen e grave që përballen me dhunë.
Në audio-incizimin e publikuar, zyrtari policor dëgjohet duke i thënë të ndjerës: “Unë të kam thënë… unë s’jam i obliguar me u marrë me ty”, teksa ajo kërkonte ndihmë dhe mbrojtje.
E revoltuar nga ajo që dëgjoi, interpretuesja e hitit “Jemi dhe s’jemi” publikoi dy reagime në InstaStory, përmes të cilave shprehu indinjatën e saj ndaj mënyrës se si ishte trajtuar viktima.
“E tmerrshmeeeee. Me këtë që dëgjova, more jo ministrja, po komplet prej A deri në ZH duhet me u dorëheq. Nuk po më besohet”, shkroi fillimisht këngëtarja.
Foto: Vesa Luma/InstaStory
Ajo iu drejtua edhe zyrtarit policor të përmendur në incizim, duke e kritikuar ashpër për qëndrimin e tij. “Faruk, çka me të thonë o Faruk, se edhe ti je pjesë e mentalitetit të kalbun deri në rrënjë”, vazhdoi Luma.
Por reagimi i saj nuk përfundoi me kaq. Në një publikim të dytë, këngëtarja ndau një fotografi nga protestat kundër dhunës ndaj grave, të shoqëruar me një mesazh emocional, duke rikujtuar fjalët dëshpëruese të viktimës.
“Faruk, të lutem… të lutem… Unë vrahna… s’ka lidhje… po ju keni me u përgjigj”, shkroi ajo, duke iu referuar fjalëve të të ndjerës.
Luma u shpreh thellësisht e prekur nga thirrjet për ndihmë të viktimës, ndërsa ngriti shqetësimin për sigurinë e grave të tjera që mund të gjenden në rrethana të ngjashme.
“Oh Zot, të lutem mbroji të gjitha gratë shqiptare që janë në pozicionin e njëjtë”, shkroi këngëtarja. “Sa shumë e pafuqishme u ndjeva sot kur dëgjova zërin e Arjetës që dridhej teksa i përgjërohej ‘Farukut’”, vazhdoi ajo.
Foto: Vesa Luma/InstaStory
Në fund, artistja bëri thirrje për mobilizim shoqëror, duke kërkuar që personat me ndikim publik të ndërmarrin veprime konkrete në mbështetje të grave që përballen me dhunë dhe pasiguri. “Ju lutem dikush që është i fushës të na drejtojë neve të paktën që kemi pozicione publike e ndikim në audiencë të bëjmë diçka për këto gra. Si mund të ndihmoj unë?”, përfundoi Vesa.
Kujtojmë se Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, ndërsa raportimet e publikuara pas ngjarjes kanë nxjerrë në pah kërkesat e saj të vazhdueshme për mbrojtje nga institucionet. Rasti ka nxitur kërkesa për hetimin e veprimeve dhe mosveprimeve të mundshme institucionale, si dhe për përcaktimin e përgjegjësive lidhur me trajtimin e denoncimeve të viktimës. /Telegrafi/




