Pas raportimeve të publikuara në mediat e Kosovës lidhur me dyshimet për prerje të drunjve në zonën kufitare, institucionet kompetente kanë dalë sot në terren në Bjeshkën e Sejnovës për të verifikuar nga afër gjendjen aktuale.

Në këtë aksion inspektues kanë marrë pjesë ekipet e Drejtorisë, përkatësisht roja e natyrës e caktuar për atë zonë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Policinë e Stacionit në Pejë.
Sipas njoftimit zyrtar, verifikimi është kryer edhe përmes pajisjeve GPS, nga ku ka rezultuar se prerja e drunjve dhe dëmtimi i evidentuar ndodhen përtej vijës kufitare, në territorin e Malit të Zi, ku është bërë edhe damkimi përkatës i drunjve.
Ndërkaq, në lokacionin e kontrolluar brenda territorit të Republikës së Kosovës nuk është konstatuar asnjë prerje e drunjve.
Nga institucionet përgjegjëse është theksuar se mbrojtja e natyrës dhe e territorit të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” mbetet përgjegjësi dhe prioritet i vazhdueshëm institucional.
Burimi: Sinjali





