Një ushtar i pestë kanadez ka vdekur nga plagët e marra kur një zjarr i madh në barishte përfshiu muajin e kaluar një zonë stërvitore ushtarake.
Fillimisht, katër persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u lënduan, pasi zjarri, i cili shpërtheu gjatë një ushtrimi me municion të vërtetë, u përhap me shpejtësi në bazën e Forcave Kanadeze Wainwright, më 17 tetor, i nxitur nga erërat e forta.

Ushtari William Douglas Dal Bianco, i cili po merrte trajtim mjekësor në Ontario, vdiq të premten, njoftuan Forcat e Armatosura Kanadeze.
Kryeministri Mark Carney shkroi në platformën X se kanadezët po i mbajnë në mendje të afërmit e ushtarit Dal Bianco, si dhe të gjithë ata që ende po përballen me dhimbjen pas kësaj tragjedie.
Forcat e Armatosura Kanadeze njoftuan se 24 pjesëtarë të ushtrisë vazhdonin të trajtoheshin në spital, ndërsa 14 të tjerë ishin liruar nga spitali deri të shtunën. Në total, 38 pjesëtarë të ushtrisë ishin lënduar.
Pjesëtarët e Grupit të Parë të Brigadës së Mekanizuar Kanadeze po zhvillonin stërvitje me municion të vërtetë në bazën Wainwright, në provincën e Albertës, kur shpërtheu zjarri.
Zyrtarët ushtarakë kishin deklaruar se zjarri ishte përhapur në një sipërfaqe prej një kilometri brenda pak sekondash, duke i zënë në befasi shumë prej pjesëtarëve që ndodheshin në bazë.
Zjarrfikësit luftuan me flakët gjatë gjithë natës, ndërsa spitalet në afërsi u mbushën me pjesëtarë të lënduar dhe personel mjekësor.
Kryeministri Carney e cilësoi ngjarjen si “një nga tragjeditë më të rënda për forcat e armatosura kanadeze në kohë paqeje, në territorin e vendit”.
Një hetim ka konstatuar se zjarri me gjasë u shkaktua nga gjuajtja me një granatëhedhës në poligonin e granatave të bazës, njoftuan zyrtarët.
Zjarrfikësit në bazë kishin qenë në dijeni për zjarrin, por nuk kishin mundur të ndërhynin, pasi ai ndodhej në një zonë të rrezikshme ku mund të kishte eksplozivë të pashpërthyer.
Shefja e Shtabit të Mbrojtjes së Kanadasë, gjeneralja Jennie Carignan, tha se Forcat e Armatosura të vendit janë të pikëlluara nga vdekja e Dal Biancos.
Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes, David McGuinty, shprehu ngushëllimet më të thella për familjen, miqtë dhe kolegët e ushtarit.
“Asnjë fjalë nuk mund ta lehtësojë dhimbjen e humbjes së një personi të dashur. Mendimet e mia mbeten me të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi”, tha ai.
Ai shtoi se institucionet do të vazhdojnë të mbështesin familjet dhe komunitetin e Forcave të Armatosura Kanadeze në këtë periudhë të vështirë, si dhe të nderojnë shërbimin, përkushtimin dhe sakrificën e ushtarit Dal Bianco për Kanadanë, raporton BBC.
Burimi: RTKLive





