Paolo Bulgari, ish-presidenti i shtëpisë së famshme italiane të bizhuterive “Bulgari”, ka ndërruar jetë në Romë, në moshën 89-vjeçare.

Si nip i themeluesit të markës, Sotirio Bulgari, ai luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe zgjerimin ndërkombëtar të kompanisë, duke ndihmuar në shndërrimin e saj në një prej emrave më të njohur të industrisë globale të luksit.
Familja e tij e ka kujtuar si një “figurë të jashtëzakonshme”, me “humanitet të thellë” dhe me “talentin e një sipërmarrësi që e donte Italinë dhe ishte ambasador i saj në botë”.
Ceremonia mortore e tij do të mbahet të hënën, më 23 nëntor, në orën 11:00, në Bazilikën e Santa Croce in Gerusalemme në Romë.
I lindur në kryeqytetin italian në vitin 1937, Paolo Bulgari iu bashkua biznesit familjar që në moshë të re, duke nisur punën si dizajner i bizhuterive. Në vitin 1984 mori drejtimin e kompanisë si president, rol në të cilin kontribuoi për dekada në forcimin e reputacionit ndërkombëtar të markës.
Në vitin 2011, familja Bulgari shiti pjesën kontrolluese të kompanisë te grupi francez i luksit LVMH, duke shënuar një kapitull të ri në historinë e markës.
Edhe nipi i tij, Francesco Trapani, i cili kishte drejtuar kompaninë si drejtor ekzekutiv (CEO) për rreth tri dekada, ndërroi jetë në shtator të vitit 2025. Ndërkohë, që nga korriku i vitit 2026, drejtimin e markës e ka marrë Laura Burdese.
Paolo Bulgari nuk u dallua vetëm për kontributin e tij në industrinë e bizhuterive, por edhe për angazhimin në çështjet sociale. Në vitin 2019, ai themeloi Fondacionin Paolo Bulgari, së bashku me bashkëshorten e tij, me synimin për të mbështetur fëmijët dhe të rinjtë, veçanërisht në luftimin e varfërisë arsimore dhe në përmirësimin e kushteve në shkollat e zonave të pafavorizuara të Romës.
Që nga themelimi, fondacioni është përqendruar kryesisht në pjesën lindore të kryeqytetit italian, përmes dy nismave kryesore: projektit arsimor “Cresco” dhe aleancës “Tornasole”. Në shkurt të vitit 2023, institucioni u regjistrua në regjistrin kombëtar italian të organizatave të sektorit të tretë si entitet filantropik.
Në faqen zyrtare të fondacionit, Bulgari kishte rrëfyer për rrugëtimin e tij në biznesin familjar dhe pasionin për dizajnin.
“Kam filluar të punoj me babanë tim që në moshë shumë të re dhe, gjatë jetës sime, kam marrë përsipër pothuajse çdo rol të mundshëm në biznesin familjar. Nga blerja e lëndëve të para, te puna në punishte dhe, në fund, dizajni. Dizajni ishte pasioni im i madh dhe më çoi drejt drejtimit të gjithë krijimtarisë së Bulgari-t për shumë vite, deri në shitjen e kompanisë në vitin 2011”, kishte shkruar ai.
Ai kishte folur gjithashtu për arsyet që e shtynë të themelonte fondacionin, duke theksuar shqetësimin për rritjen e pabarazisë dhe vështirësitë me të cilat përballen të rinjtë.
“Gjatë këtyre dekadave, jam përpjekur të ndihmoj në shumë mënyra. Por, në vitin 2019, së bashku me bashkëshorten time, vendosa të krijoj një fondacion. Doja t’u përgjigjesha problemeve që më shqetësojnë më së shumti, rritjes së pabarazisë dhe gjendjes së të rinjve, në një mënyrë më të organizuar dhe konkrete. Si kapitalist, gjithmonë kam theksuar se sa e rëndësishme dhe urgjente është vendosja e rregullave më të rrepta për kapitalizmin, në mënyrë që të krijohet një shoqëri më e drejtë”, kishte deklaruar ai.
Në renditjen e këtij viti të revistës FashionUnited, që përfshin 100 njerëzit më të pasur në industrinë e modës, Paolo Bulgari dhe familja e tij u renditën në vendin e 70-të. /Telegrafi/





