Ushtarët profesionistë kundërshtojnë fuqishëm zgjidhjen e propozuar nga Ministria e Mbrojtjes për statusin e tyre pas mbushjes së moshës 45 vjeçare. Ata paralajmërojnë protestë më 7 nëntor, duke kërkuar zgjidhje për statusin, vazhdim të punës deri në pensionimin e zakonshëm, të drejta të barabarta të pensioneve dhe rritje të pagave. Ushtarët profesionistë thonë se për momentin punojnë me kontrata me kohë të caktuar dhe pas pensionimit në moshën 45 vjeçare, mbeten pa punë.

“Ushtarët profesionistë punojnë 25 vjet me marrëveshje me kohë të caktuar. Mendoj se jemi të vetmit në shtet që punojmë me marrëveshje me kohë të caktuar dhe në moshën 45 vjecare, një ditë para ditëlindjes tonë, mbesim pa punë. Kjo nuk ndodh në asnjë vend tjetër të NATO-s. Do të jemi vendi i parë i NATO-s ku do të protestojë ushtria”, deklaroi Aleksandar Naskovski Kryetar i Sindikatës së Pavarur të Ushtarëve Profesionalë.
Një ditë më parë, ministri Vllado Misajllovski tha se ka arritur marrëveshje me pjesëtarë të ushtrisë për zgjidhjen e këtij problemi shumëvjeçar. Sipas tij, statusi i ushtarëve profesionistë pas pensionimit në moshën 45-vjeçare do të ndryshojë nga ushtarakë në persona civil dhe do të mund të zgjedhin nëse duan të vazhdojnë të qëndrojnë në ushtri ose jo.
“Kjo reformë ofron një mundësi të re, ajo parashikon që çdo ushtar profesionist që mbush 45 vjeç të marrë një mundësi tjetër që vjen sipas ligjit. Çdo ushtar, kur mbush 45 vjeç, ka mundësinë të zgjedhë nëse dëshiron të marrë një kompensim për ndërprerje të kontratës së punës, i cili përafërsisht varion nga 30 deri në 40.000 euro, mund të largohet në një institucion tjetër në shtet, por mund të qëndrojë edhe në Ushtri”, tha Vllado Misajllovski, Ministër i Mbrojtjes.
Sindikata nuk pajtohet me zgjidhjen e ofruar nga ministri. Thotë se ushtarët e përfshirë në këtë zgjidhje, janë manipuluar.
“Zgjidhja që e ofron ministri Misajllovski nuk është zgjidhje ligjore. Ai nuk ofron ndryshim të ligjit por nga një dispozitë që tashmë është në ligj, ofron diçka që nuk ekziston. Ai u ofron ushtarëve të kalojnë në persona civilë, në sigurim. Diçka e tillë nuk ekziston në ushtri. I manipulon ushtarët që do t’i mbajnë rrogat e tyre. Ajo nuk është e vërtetë sepse ligji për sigurimet thonë se rroga e sigurimeve u llogaritet sipas dispozitave të tjera, të ndryshme nga personat ushtarakë. Kështu që këto persona do të kimë ulje të rrogës dhe kushte më të këqija”, theksoi Aleksandar Naskovski Kryetar i Sindikatës së Pavarur të Ushtarëve Profesionalë.
Sipas sindikatës, janë mbi 600 ushtarë që kanë pësuar nga moszgjidhja ligjore ndër vite dhe të cilët duhet të kompensohen për humbjen e tyre./Alsat/




