Ish-diplomati Sylë Ukshini ka vlerësuar se Bashkimi Evropian e ka humbur kredibilitetin në Kosovë dhe se aktualisht ekziston një nivel i lartë mosbesimi ndaj tij, si te qytetarët, ashtu edhe te klasa politike.
Në FIVE të TV Dukagjinit, Ukshini ka thënë se BE-ja mund të përpiqet ta rikthejë besimin e humbur dhe se kërkesa e kryeministrit Albin Kurti për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim mund të vijë në një moment të përshtatshëm.

“Bashkimi Evropian ka humbur kredibilitetin në Kosovë. Dhe nëse ka ndonjëherë moment mosbesimi ndaj BE-së, ka tash. Edhe te klasa politike, edhe te qytetarët”, ka deklaruar Ukshini.
Sipas tij, Bashkimi Evropian do të përpiqet ta përmirësojë marrëdhënien me Kosovën, ndërsa kërkesa për shqyrtimin e aplikimit mund të shërbejë si një mundësi për këtë.
“Dhe kërkesa e sforcuar e Kurtit që të hapen, që të shqyrtohet kërkesa e Kosovës, ndoshta është momenti i duhur. Sepse në këto rrethana BE-ja do të provojë ta pajtojë Kosovën. Në kuptim që të mos bëhet që është anti-Kosovë, në kohën kur veprimet e BE kanë kundër shtetësisë së Kosovës”, është shprehur ai.
Burimi: Dukagjini




