Një vajzë 14-vjeçare nga Suhareka, e cila ishte raportuar e zhdukur pasi kishte dalë nga shtëpia me një 24-vjeçar, është lokalizuar nga Policia. Familja kishte humbur kontaktet me të miturën që nga mbrëmja e së martës, ndërsa hetuesit po punojnë për të sqaruar rrethanat e largimit të saj, mëson Gazeta Sinjali.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, e mitura me inicialet A.D. ishte larguar nga shtëpia më 10 nëntor, rreth orës 20:00.
Nëna e saj e kishte denoncuar zhdukjen një ditë më vonë, më 11 nëntor, pasi përpjekjet e familjarëve për ta kontaktuar nuk kishin dhënë rezultat.
Gjatë denoncimit, ajo kishte deklaruar se vajza kishte dalë për kafe me një të ri, të identifikuar si Albion Elshani (24), por nuk ishte kthyer më në shtëpi.
Sipas nënës, rreth orës 23:00 kishte arritur të fliste në telefon me 24-vjeçarin, i cili i kishte thënë se do të ktheheshin së shpejti. Megjithatë, pas kësaj bisede, telefoni i tij ishte fikur dhe familja nuk kishte arritur të kontaktonte më me ta.
Pas denoncimit, Policia kishte nisur kërkimet për të miturën, duke angazhuar patrullat dhe njësinë e hetimeve.
Të enjten, më 12 nëntor, rreth orës 09:30, Policia ka arritur të lokalizojë vendndodhjen e 14-vjeçares, duke i dhënë fund pasigurisë për vendndodhjen e saj.
Hetuesit po vazhdojnë veprimet në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren, për të sqaruar rrethanat e largimit nga shtëpia dhe zhvillimet gjatë kohës kur ajo nuk kishte kontakt me familjen.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





