Vazhdon “lufta” e Kosovës për kthimin e Kamenovës në Mal të Zi – çfarë dihet deri më tani?

Vazhdon “lufta” e Kosovës për kthimin e Kamenovës në Mal të Zi – çfarë dihet deri më tani?

Vazhdon “lufta” e Kosovës për kthimin e Kamenovës në Mal të Zi – çfarë dihet deri më tani?

Dikur kjo hapësirë ishte një vendpushim buzë detit, ku punëtorët e Kosovës, familjet e tyre, por edhe të tjerë kalonin pushimet verore, ndërsa sot është një kompleks me ndërtesa të braktisura, mure të dëmtuara dhe rrënoja. Kjo është pamja aktuale e Kamenovës, ish-pushimores së punëtorëve të Kosovës në bregdetin e Malit të Zi, e cila prej më shumë se dy dekadash mbetet në qendër të një kontesti pronësor, shkruan Telegrafi.

Sponsor 3M Express

Telegrafi ka qëndruar në kompleksin Kamenova, pranë Budvës dhe Shën Stefanit, ku nga afër ka parë gjendjen e rëndë të objekteve që dikur shërbenin për pushimin dhe rekreacionin e punëtorëve kosovarë. Aty ku dikur kishte pushues dhe gjallëri, sot kanë mbetur ndërtesa të dëmtuara, rrënoja dhe hapësira të lëna pas dore.

telegrafi.com

Ndërkohë, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) vazhdon përpjekjet juridike për njohjen e të drejtave mbi këtë pasuri, ndërsa zhvillimet e fundit gjyqësore dhe përpjekjet për shitjen e aksioneve të kompanisë Rekreaturs e kanë rikthyer çështjen në vëmendje.

Bëhet fjalë për një kompleks turistik me sipërfaqe prej 33,209 metrash katrorë, të vendosur ndërmjet Budvës dhe Shën Stefanit, vlera e të cilit, sipas një dosjeje juridike të siguruar nga Telegrafi, vlerësohet në rreth 24 milionë euro.

Historia e Kamenovës nis në vitin 1957, kur u krijua Bashkësia Vetëqeverisëse e Interesit për pushimin dhe rekreacionin e punëtorëve nga Kosova. Kompleksi u zhvillua përmes kontributeve të punëtorëve dhe ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës.

Në vitin 1992, ndërmarrja shoqërore “Rekreaturs” u regjistrua në Prishtinë, ndërsa më 1 shtator të atij viti autoritetet kadastrale në Budvë regjistruan të drejtat e administrimit, shfrytëzimit dhe disponimit mbi pjesën dërrmuese të kompleksit në favor të ndërmarrjes nga Prishtina.

Si nisi kontesti pronësor?

Kontesti nisi pas luftës së vitit 1999, kur selia e ndërmarrjes Rekreaturs u transferua nga Prishtina në Budvë të Malit të Zi.

Sipas dokumentacionit të siguruar nga AKP-ja, më 3 nëntor 1999, drejtuesi i atëhershëm kishte përpiluar një vendim për transferimin e selisë së ndërmarrjes, duke e proceduar atë përmes Gjykatës Ekonomike të Prishtinës, e cila në atë periudhë vepronte e zhvendosur në Kralevë të Serbisë.

Më 9 dhjetor 1999, Gjykata Ekonomike në Podgoricë regjistroi ndryshimin e selisë dhe ndërmarrjen “Rekreaturs Budva”.

AKP-ja e konteston ligjshmërinë e këtij transferimi, duke argumentuar se ndryshimet janë realizuar përmes strukturave gjyqësore paralele jashtë Kosovës.

Sipas AKP-së, në vitin 2002, ndërmarrja në Budvë iu nënshtrua transformimeve dhe privatizimit.

Në një përgjigje për Telegrafin, AKP-ja thotë se përpjekjet juridike kanë vazhduar ndër vite. Në vitin 2021, Gjykata Themelore e Kotorrit refuzoi padinë e Agjencisë, ndërsa kjo e fundit paraqiti ankesë.

Për kontestin e Kamenovës raportuan edhe mediat rajonale

Kontesti për pronësinë e Kamenovës ka qenë ndër vite edhe në vëmendjen e mediave rajonale, përfshirë gazetën malazeze Vijesti dhe Radion Evropa e Lirë, të cilat kanë raportuar për përpjekjet e Kosovës për rikthimin e kësaj pasurie.

Në një artikull të publikuar në vitin 2017, gazeta malazeze Vijesti e kishte trajtuar çështjen e Kamenovës si një problem të mundshëm në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Gazeta raportonte për përpjekjet e AKP-së për të dëshmuar se ndërmarrja Rekreaturs nga Prishtina ishte bartësja e ligjshme e të drejtave mbi rreth 33 mijë metra katrorë tokë në bregdetin malazez.

Ndërkaq, Radio Evropa e Lirë, në një raportim të 16 majit 2019, kishte trajtuar proceset gjyqësore në Kotor dhe pretendimet e palëve për pronësinë e kompleksit.

Këto raportime tregojnë se çështja e Kamenovës nuk është një kontest i ri, por një mosmarrëveshje pronësore që prej dekadash ka qenë pjesë e procedurave gjyqësore dhe debatit publik në Kosovë e Mal të Zi.

Gjatë vizitës së Telegrafit në Kamenovë, në tetor 2026, është konstatuar se objektet e ish-pushimores ndodhen në gjendje të rëndë. Ndërtesat janë të dëmtuara, ndërsa pjesë të kompleksit janë kthyer në rrënoja.

telegrafi.com

Telegrafi kërkoi përgjigje nga institucionet në Kosovë dhe Mal të Zi

Në kuadër të hulumtimit, Telegrafi i është drejtuar institucioneve të Kosovës dhe Malit të Zi për të sqaruar statusin aktual të pronës dhe zhvillimet e fundit juridike.

Në përgjigjen zyrtare për Telegrafin, më 27 tetor 2026, Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka bërë të ditur se Avokatura Shtetërore nuk është e përfshirë në kontestin gjyqësor për këtë pronë.

“Lidhur me kërkesën tuaj për informacion, ju njoftojmë se Avokatura Shtetërore nuk është e përfshirë në mbrojtje gjyqësore në kontestin pronësor për kompleksin Kamenova në Mal të Zi dhe nuk ka informata lidhur me rastin”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Ministria ka rekomanduar që për informacione lidhur me këtë çështje, Telegrafi t’i drejtohet Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Dokumentacioni juridik i dërguar për rastin Rekreaturs paraqet një kronologji të hollësishme të përpjekjeve për mbrojtjen e pasurisë, përfshirë zhvillimet e shtatorit 2026.

“Përmes padisë kërkohet që gjykata të konstatojë se toka në Kamenovo nuk bën pjesë në masën e falimentimit të Atlas Bankës dhe të urdhërojë përjashtimin e saj nga kjo masë dhe kthimin te pronari fillestar nga Prishtina”, thuhet në dokumentacionin e AKP-së të dërguar për Telegrafin.

Komuna e Budvës nuk i përgjigjet Telegrafit

Në kuadër të hulumtimit për rastin Kamenova, Telegrafi i është drejtuar zyrtarisht edhe Komunës së Budvës në Mal të Zi, më 26 tetor 2026, duke kërkuar informacione për statusin aktual juridik dhe pronësor të kompleksit, pronarin e regjistruar, si dhe për kontestin pronësor me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Megjithatë, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, Komuna e Budvës nuk i është përgjigjur kërkesës së Telegrafit.

Nga një vendpushim i ndërtuar me kontributet e punëtorëve të Kosovës, Kamenova është kthyer në një kompleks të braktisur, të mbetur mes rrënojave dhe një beteje të gjatë juridike.

telegrafi.com

Përderisa institucionet vazhdojnë përpjekjet për të sqaruar pronësinë, Kosova ka edhe prona të tjera në Mal të Zi dhe në vendet e tjera që dikur ishin pjesë e Jugosllavisë, për të cilat ende nuk kanë përfunduar procedurat juridike.

telegrafi.com

Ndër më të rëndësishmet janë rastet e “Kllanicës”, “Jateksit”, “Luxit”, “Bankosit” etj.

Kushdo që ka ndonjë informacion për këtë temë apo tema të ngjashme, mund të na shkruajë në info@telegrafi.com.

Lexo edhe

Manchester City nis kërkimin për pasardhësin e Haalandit, në listë dy sulmues me vlera milionëshe

Manchester City nis kërkimin për pasardhësin e Haalandit, në listë dy sulmues me vlera milionëshe

Shtatë amerikanë nga Texasi, familja Hagan zgjedh Kosovën si shtëpi! (VIDEO)

Shtatë amerikanë nga Texasi, familja Hagan zgjedh Kosovën si shtëpi! (VIDEO)

Operacioni ndërkombëtar ndaj “Dark Web”, 354 persona në pranga – dalin të gjitha detajet

Operacioni ndërkombëtar ndaj “Dark Web”, 354 persona në pranga – dalin të gjitha detajet