Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka telefonuar miliarderin Elon Musk, duke i kërkuar atij të heqë kufizimet mbi përdorimin e sistemit satelitor Starlink nga Ukraina, raportoi të enjten The Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë amerikanë.

Sipas zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas, shërbimi Starlink ka funksionuar më normalisht pas bisedës mes Trumpit dhe Muskut, megjithëse disa zyrtarë ukrainas kanë thënë se sistemi ende nuk është rikthyer në kapacitetin e plotë.
Trump i ka shprehur Muskut pakënaqësinë për faktin se shpejtësia e sistemit mbetej e kufizuar në rreth 160 kilometra në orë, shkruan gazeta amerikane.
Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte deklaruar më herët se shpejtësia e Starlinkut nuk ishte rikthyer ende për Ukrainën, duke shprehur shpresën për bisedime me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në ditët në vijim.
Rubio kishte thënë të mërkurën se vendimet për qasjen e Ukrainës në Starlink varen nga kompania mëmë SpaceX dhe drejtori i saj ekzekutiv, Elon Musk, e jo nga Shtëpia e Bardhë.
Ukraina mbështetet në Starlink për komunikimet në fushën e betejës dhe operacionet me dronë. Kufizimet në këtë shërbim satelitor kanë penguar misionet ukrainase me dronë, si në sulme ashtu edhe në mbrojtjen ajrore kundër Rusisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




