Trump mund të heqë dorë nga sulmet ndaj Iranit, nëse Teherani nuk provokon SHBA-në

Trump mund të heqë dorë nga sulmet ndaj Iranit, nëse Teherani nuk provokon SHBA-në

Trump mund të heqë dorë nga sulmet ndaj Iranit, nëse Teherani nuk provokon SHBA-në

Presidenti amerikan, Donald Trump, u ka thënë këshilltarëve të tij të lartë ditët e fundit se mund të heqë dorë nga sulmet ndaj Iranit, nëse SHBA-ja nuk përballet me provokime të reja nga Teherani apo nga rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani në Jemen.

Kështu kanë bërë të ditur tri burime të afërta me këtë çështje, për agjencinë e lajmeve Reuters.

Sponsor 3M Express

Trump ka luhatur qëndrimet e tij mes kërcënimeve për përshkallëzim të luftës përmes sulmeve të reja dhe deklaratave për përfundimin e armiqësive. Megjithatë, zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë thonë se presidenti nuk duket se ka marrë ende një vendim përfundimtar se si do ta zgjidhë konfliktin, të cilin e nisi në shkurt së bashku me Izraelin.

Lufta ka shkaktuar rritje të çmimeve globale të karburanteve dhe është bërë gjithnjë e më jopopullore në mesin e votuesve amerikanë. Në zgjedhjet e mesmandatit të javës së kaluar, republikanët e Trumpit humbën kontrollin e Kongresit, i cili kaloi në duart e demokratëve.

Sipas një sondazhi të Reuters/Ipsos, të realizuar pak para zgjedhjeve të 3 nëntorit, 55 për qind e amerikanëve vlerësuan se lufta nuk ia vlente kostos së saj. Edhe zëvendëspresidenti JD Vance e ka përmendur konfliktin si një nga arsyet e humbjes së republikanëve.

Komentet private të Trumpit vijnë pas deklaratave të tij publike, në të cilat ka minimizuar mundësinë e rifillimit të një lufte në shkallë të gjerë.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka deklaruar se presidenti Trump është i vetmi që vendos për hapat e ardhshëm dhe se SHBA-ja ndodhet në një pozitë shumë të fortë, duke përmendur kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit dhe gjendjen e rënduar të ekonomisë iraniane.

Gjatë dy javëve të fundit, Trump ka zhvilluar biseda telefonike me princin e kurorës saudite, Mohammed bin Salman, dhe presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, të cilët e kanë këshilluar të mos rifillojë sulmet ndaj Iranit.

Sipas burimeve amerikane, të dy liderët kanë shprehur shqetësimin për një përshkallëzim të ri, ndërsa Trump nuk ka dhënë ndonjë zotim përfundimtar.

Më 31 tetor, Trump i kishte thënë princit saudit se planifikonte të sulmonte Iranin pas zgjedhjeve, por Mohammed bin Salman e kishte lutur të përmbahej, duke argumentuar se sanksionet ekonomike ndaj Teheranit po jepnin rezultate.

Ndërkohë, inteligjenca amerikane ka vlerësuar se bllokada detare dhe sanksionet ekonomike po e dëmtojnë ekonominë iraniane dhe se presioni ndaj Teheranit mund të vazhdojë të japë rezultate.

Opsionet ushtarake mbeten në tavolinë

Pavarësisht mundësisë së shmangies së sulmeve të reja, ushtria amerikane është e gatshme për përshkallëzim nëse një gjë e tillë konsiderohet e nevojshme.

Sipas burimeve të Reuters, një aeroplanmbajtëse e tretë pritet të mbërrijë në Lindjen e Mesme në ditët në vijim, për të zëvendësuar njërën nga dy aeroplanmbajtëset që aktualisht operojnë në rajon. Megjithatë, të tria mund të qëndrojnë në rajon nëse situata e kërkon.

Një nga mundësitë që po shqyrton Trump është edhe bombardimi i objekteve bërthamore nëntokësore të Iranit. Megjithatë, SHBA-ja tashmë ka sulmuar këto objekte dhe mbetet e paqartë nëse goditjet e tjera do të kishin sukses.

Sipas vlerësimeve të inteligjencës amerikane, sulmet e reja nuk do të ndryshonin ndjeshëm qëndrimin e Iranit në negociata.

Trump është informuar gjithashtu për rezervat e armëve amerikane, disa prej të cilave janë zvogëluar në nivele shqetësuese. Reuters kishte raportuar në gusht se SHBA-ja kishte përdorur pothuajse të gjitha municionet e saj precize me rreze të gjatë veprimi dhe se ato ende nuk ishin rimbushur.

Izraeli kërkon fushatë të re ushtarake

Ndërkohë, zyrtarët izraelitë kanë vazhduar t’i bëjnë presion administratës amerikane që të përfshihet në një tjetër fushatë ushtarake kundër Iranit.

Trump, nga ana tjetër, ka sinjalizuar këtë javë se SHBA-ja tashmë ka arritur atë që mund të arrinte përmes negociatave, por nuk ka treguar nëse do të urdhërojë rifillimin e sulmeve.

“Ne nuk kemi nevojë për një marrëveshje me Iranin. Ne i kemi paratë e tyre, qindra miliarda dollarë, dhe e kemi Ngushticën e tyre”, ka shkruar Trump të enjten në rrjetet sociale.

Burimi: Dukagjini

Lexo edhe

Nuk iu bind zyrtarëve policorë – tentoi ta godiste njërin me veturë, më pas edhe e sulmoi policin, arrestohet i dyshuari në Vushtrri

Nuk iu bind zyrtarëve policorë – tentoi ta godiste njërin me veturë, më pas edhe e sulmoi policin, arrestohet i dyshuari në Vushtrri

DJ Khaled humbi rreth 40 kilogramë – ai zbuloi se çfarë e ndihmoi të humbiste peshë

DJ Khaled humbi rreth 40 kilogramë – ai zbuloi se çfarë e ndihmoi të humbiste peshë

“Pulë”, “Çikë e keqe”, “Surrat patate” – Përplasje e ashpër mes Nichit dhe Antonetës: Shkëmbim ofendimesh (VIDEO)

“Pulë”, “Çikë e keqe”, “Surrat patate” – Përplasje e ashpër mes Nichit dhe Antonetës: Shkëmbim ofendimesh (VIDEO)