Pas muajsh të tërë fushate dhe miliarda dollarësh të shpenzuar, amerikanët më në fund po votojnë në zgjedhjet e mesmandatit.

Sondazhet e fundit publike sugjerojnë se demokratët janë në pozitë më të favorshme, por anketat nuk kanë qenë gjithmonë të sakta dhe rezultatet e këtij viti mund të sjellin surpriza.
Megjithatë, në vija të përgjithshme, ekzistojnë tre skenarë të mundshëm për atë se si mund të përfundojnë zgjedhjet dhe çfarë pasojash mund të kenë për politikën amerikane, transmeton Telegrafi.
Një valë e madhe në favor të demokratëve
Historia tregon se zgjedhjet e mesmandatit zakonisht favorizojnë partinë që nuk është në pushtet. Kësaj radhe, sondazhet tregojnë gjithashtu pakënaqësi të lartë ndaj presidentit, ndërsa lufta me Iranin ka rritur kostot për konsumatorët. Në këtë klimë ndikojnë edhe politikat e debatueshme të administratës, si zbatimi i ashpër i masave kundër emigracionit dhe mbështetja për ndërtimin e qendrave të të dhënave.
Në skenarin e parë, demokratët do të përfitonin nga kjo pakënaqësi dhe do të shënonin një fitore të thellë. Ata jo vetëm që do të merrnin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, por do të fitonin dukshëm më shumë se 218 vendet e nevojshme për shumicën.
Përveç garave të ngushta, demokratët mund të fitonin edhe në disa zona tradicionalisht konservatore, duke zgjeruar ndjeshëm epërsinë e tyre.
Në Senat, ky skenar do të kërkonte fitore në shumicën ose në të gjitha garat e hapura, përfshirë edhe disa shtete ku republikanët kanë tradicionalisht mbështetje të fortë. Një rezultat i tillë mund të përfshinte fitore të bujshme në Teksas, ku demokratët nuk kanë fituar një garë të tillë prej një brezi, ose në Kansas, ku kjo nuk ka ndodhur prej gati një shekulli.
Nëse demokratët do të merrnin edhe Senatin, ata mund të siguronin një shumicë prej një ose dy vendesh, duke shmangur edhe ndërlikimet e mundshme ligjore rreth garës në Alaskë, ku një gjykatës hodhi poshtë një padi të administratës Trump lidhur me praninë në fletëvotim të dy kandidatëve me emrin Dan Sullivan.
Një fitore kaq e madhe mund të vinte si rezultat i pjesëmarrjes së lartë të votuesve demokratë dhe mbështetjes së konsiderueshme nga votuesit e pavarur. Kjo do të përmbyste edhe përparimin që Donald Trump kishte shënuar në zgjedhjet e vitit 2024 te votuesit hispanikë dhe meshkujt e rinj. Një pjesë e republikanëve mund të votonin për demokratët ose të mos merrnin pjesë fare në zgjedhje.
Një rezultat i tillë do të përbënte një goditje të fortë politike për Trumpin dhe Partinë Republikane, duke hapur rrugën për dy vjet përplasjeje mes demokratëve, tashmë me kontrollin e pushtetit legjislativ, dhe presidentit që rrallë tërhiqet nga konfrontimet politike.
Shenjat e para gjatë numërimit: Nëse demokratët ruajnë vendet që synojnë në Florida dhe fitojnë disa zona republikane në Karolinën e Veriut, Michigan, Nju Jork, Virxhinia dhe Kentaki. Një fitore në garën për Senat në Karolinën e Jugut do të ishte gjithashtu shenjë e një nate të mirë për demokratët.
Një fitore e kufizuar e demokratëve
Në këtë skenar, sondazhet do të rezultonin pjesërisht të sakta. Demokratët do të arrinin të merrnin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, por me një shumicë të ngushtë.
Kjo do t’i detyronte drejtuesit demokratë të negocionin vazhdimisht me anëtarët e krahëve të ndryshëm të partisë, si ata më majtas, ashtu edhe ata të qendrës, për të siguruar votat e nevojshme për miratimin e ligjeve.
Në Senat, demokratët mund të fitonin vetëm një ose dy vende. Karolina e Veriut shihet si një nga mundësitë e tyre, ndërsa garat në shtetet tradicionalisht konservatore mund të rezultonin të paarritshme.
Ata mund të mos arrinin ta mposhtnin senatoren republikane Susan Collins në Maine, ndërsa kandidati i krahut të majtë, Abdul El-Sayed, mund të mos arrinte ta mbante Michiganin në kampin demokrat. Në Alaskë, polemika rreth dy kandidatëve me emrin Dan Sullivan mund të ndikonte në rezultatin e kandidates demokrate Mary Peltola.
Në këtë skenar, pjesëmarrja e lartë e demokratëve në votimin e hershëm do të kompensohej nga një mobilizim i republikanëve në ditën e zgjedhjeve. Përpjekjet e Trumpit për të nxitur mbështetësit e tij në shtetet republikane mund ta ndihmonin partinë të shmangte një humbje të madhe.
Rezultatet e përgjithshme do të ishin të përziera për të dyja partitë, duke prodhuar një Kongres të ndarë dhe duke rritur rrezikun e bllokadës politike.
Shenjat e para gjatë numërimit: Nëse Florida mbetet qartësisht në kampin republikan dhe demokratët fitojnë disa vende në Dhomën e Përfaqësuesve në shtete si Virxhinia dhe Pensilvania, por republikanët arrijnë të ruajnë vendet e tyre në zonat ku kanë mbështetje më të fortë.
Një natë e mirë për republikanët
Skenari i tretë parashikon që republikanët të arrijnë të ruajnë kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit.
Për këtë do të duhej që sondazhet, të cilat në të kaluarën kanë nënvlerësuar mbështetjen për Trumpin, të rezultonin të pasakta dhe shumica e garave të ngushta të përfundonin në favor të republikanëve.
Votuesit republikanë do të duhej të merrnin pjesë në numër më të madh se sa pritej, ndërsa votuesit e pavarur dhe ata hispanikë, të cilët sipas sondazheve kanë shfaqur pakënaqësi ndaj politikave të Trumpit, do të duhej të mbështesnin sërish republikanët.
Në këtë rast, kontrolli i Dhomës së Përfaqësuesve nuk do të ishte më i sigurt për demokratët dhe rezultati mund të varej edhe nga Kalifornia, ku numërimi i votave me postë mund të zgjasë disa ditë.
Republikanët mund të siguronin në fund një shumicë të ngushtë, pjesërisht falë përpjekjeve për të ndryshuar kufijtë e distrikteve zgjedhore në favor të tyre në shtete si Teksasi, Florida dhe Karolina e Veriut.
Në Senat, ata mund të fitonin të gjitha garat në shtetet konservatore dhe madje të merrnin edhe një vend të mbajtur më parë nga demokratët në Michigan.
Edhe nëse republikanët nuk do të arrinin të fitonin në Karolinën e Veriut apo në shtete si Minnesota dhe New Hampshire, ata mund t’i mbanin demokratët nën presion në garat e ngushta.
Një rezultat i tillë do t’i jepte Trumpit mundësinë të pretendonte se kishte marrë një mandat të ri politik nga votuesit dhe të vazhdonte zbatimin e agjendës së tij të brendshme dhe të jashtme me mbështetjen e Kongresit të kontrolluar nga republikanët.
Shenjat e para gjatë numërimit: Nëse senatorët republikanë Ashley Moody në Florida dhe Jon Husted në Ohio fitojnë bindshëm. Po ashtu, nëse republikanët ruajnë pozitat e tyre në garat për Dhomën e Përfaqësuesve në Pensilvani dhe Virxhinia, si dhe fitojnë vende që aktualisht mbahen nga demokratët në Karolinën e Veriut, Ohio dhe Florida. /Telegrafi/




