Një aksident trafiku që kishte ndodhur në fillim të këtij muaji në Fushë Kosovë ka përfunduar tragjikisht. Një 76-vjeçar, i cili kishte mbetur rëndë i lënduar pasi ishte përplasur me një veturë, ka ndërruar jetë pas 20 ditësh trajtimi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se viktima është Avdullah Avdyli, 76 vjeçar, i cili ka ndërruar jetë të shtunën, më 24 tetor, rreth orës 10:30, në repartin e mjekimit intensiv në QKUK.
Aksidenti kishte ndodhur më 4 tetor 2026, rreth orës 10:20, në rrugën “Nënë Tereza” në Fushë Kosovë, ku ishin përfshirë një këmbësor dhe një veturë në lëvizje.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, këmbësori ishte përplasur me një veturë të tipit Volkswagen Golf, me ngjyrë të zezë, të cilën e drejtonte Faik Krasniqi, 41 vjeçar, nga fshati Llapushnik i Drenasit.
Por, çfarë tregojnë pamjet e aksidentit?
Bazuar në një video-incizim që posedojnë hetuesit policorë, 76-vjeçari kishte hyrë me vrap në rrugë në kohën kur semafori tregonte dritën e kuqe për këmbësorët, me ç’rast ishte përplasur me automjetin që po lëvizte në atë pjesë të rrugës.
Nga goditja, Avdyli kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe ishte transportuar me urgjencë në QKUK, ku ishte vendosur nën kujdesin e mjekëve.
Përkundër trajtimit në repartin e mjekimit intensiv, ai nuk arriti t’u mbijetojë lëndimeve dhe ndërroi jetë mëngjesin e së shtunës, 20 ditë pas aksidentit.
Pas konfirmimit të vdekjes, është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.
Rasti, i cili fillimisht ishte trajtuar si aksident trafiku me lëndime të rënda, tashmë ka marrë pasoja fatale, ndërsa hetimet dhe procedurat përkatëse do të vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




