Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se të mërkurën, në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë do të mbahet protestë me moton “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.

Protesta organizohet pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, ndërsa organizatorët kërkojnë përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete për mbrojtjen e grave nga dhuna.
Në thirrjen për protestë, kolektivi ka theksuar se rasti i Arlindës duhet të shërbejë si alarm për institucionet dhe shoqërinë.
“Duhet t’i lëmë shtëpitë, punët, klasat e mësimit për t’i mbushur sheshet e dyert e institucioneve që po shpërfillin totalisht jetën dhe sigurinë e grave cep më cep Kosovës”, thuhet në thirrjen e organizatorëve.
Sipas tyre, vrasja e Arlinda Zekajt është veçanërisht shqetësuese pasi, sipas informacioneve të bëra publike, ajo kishte kërkuar ndihmë nga institucionet para se të vritej.
“Arlinda Zekaj u vra me ndërmjetësim të shtetit”, thuhet në reagimin e kolektivit, i cili kritikon mënyrën se si institucionet i trajtojnë rastet e dhunës ndaj grave.
Organizatorët kanë paralajmëruar gjithashtu veprime protestuese edhe në ditët në vijim, duke përmendur Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin Prokurorial të Kosovës, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Policinë dhe Qeverinë si institucione para të cilave synojnë të protestojnë.
“Për siguri e liri për gratë e gjalla, e drejtësi për gratë e vrara. Na u bashkoni!”, thuhet në thirrjen e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist. /Telegrafi/




