Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.0 ka goditur Tibetin, në Kinën perëndimore, të enjten në orën 22:30 sipas kohës lokale, njoftoi Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS).

Sipas të dhënave të USGS-së, epiqendra e tërmetit ishte rreth 183 kilometra në lindje-verilindje të qytetit Nagqu, në Rajonin Autonom të Tibetit.
Deri më tani, nuk ka të dhëna të qarta për dëmet materiale apo viktimat e mundshme nga lëkundjet e fuqishme.
Kina është një vend i prekur shpesh nga tërmetet, veçanërisht në zonat jugperëndimore, ku pllaka tektonike indiane përplaset me atë euroaziatike. Kjo përplasje ka kontribuar në formimin e vargmaleve të Himalajeve dhe pllajës së Tibetit.
Një tërmet me magnitudë 7.1 goditi rajonin Xinjiang të Kinës në janar të vitit 2024, duke shkaktuar vdekjen e tre personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve.
Ndërkaq, në dhjetor të vitit 2023, më shumë se 100 persona humbën jetën nga një tërmet në qarkun Jishishan, në provincën Gansu, në veriperëndim të Kinës. Ai u cilësua si tërmeti më vdekjeprurës në vend për gati një dekadë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




