Hetimet për therjen me thikë të një 19-vjeçari në Gjakovë kanë sjellë zhvillime të reja. Përveç 16-vjeçarit të arrestuar fillimisht si i dyshuar për vrasje në tentativë, Policia ka ndaluar edhe dy persona të tjerë, ndaj të cilëve është iniciuar rast për pjesëmarrje në rrahje, mëson Gazeta Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur të hënën, më 9 nëntor, rreth orës 08:00, në rrugën “UÇK” në Gjakovë, ku Edlind Ahmeti (19) ka pësuar dy plagë që dyshohet se i janë shkaktuar me thikë.
I plagosuri ishte paraqitur fillimisht në Emergjencën e Spitalit Rajonal “Isa Grezda”, nga ku është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Sipas informacioneve policore, 19-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Fillimisht, Policia kishte arrestuar një 16-vjeçar me inicialet Y.B., i cili dyshohet se është përfshirë në sulmin me thikë. Me urdhër të Prokurorisë, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “Vrasje në tentativë”.
Por hetimet e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Gjakovë kanë zbuluar përfshirjen e dy personave të tjerë në incident.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Arlind Ahmetin (21) dhe Jeton Ahmetin (21), ndaj të cilëve është iniciuar rasti për veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje”.
Të tre të dyshuarit janë intervistuar nga hetuesit rajonalë në prani të avokatëve mbrojtës.
Pas përfundimit të intervistimeve dhe konsultimit me Prokurorinë, ndaj të treve është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.
Hetimet po vazhdojnë nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Gjakovë.
/Gazeta Sinjali/
Shënim: Personat e apostrofuar konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
Burimi: Sinjali




