Pas stërvitjes së sotme, Fazliji ka thënë se përfaqësimi i Kosovës ka një rëndësi të veçantë për të, duke theksuar se mezi pret të zbresë në fushë në ndeshjet e ardhshme.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe shumë krenar. Për mua është diçka shumë e madhe të vij këtu për ta mbështetur kombin dhe Kombëtaren tonë. Mezi po pres t’i luaj ndeshjet e ardhshme”, ka deklaruar Fazliji.

Ai është shprehur i kënaqur edhe me atmosferën brenda ekipit, duke vlerësuar gjendjen fizike dhe motivimin e futbollistëve në prag të përballjeve të nëntorit.
“Stërvitja ka qenë shumë e mirë. Jam bashkuar menjëherë me ekipin. Skuadra është në formë të mirë, të gjithë jemi të lumtur, të motivuar dhe të fokusuar. Presim një ndeshje shumë të mirë kundër Izraelit, në shtëpinë tonë, në stadiumin ‘Fadil Vokrri’”, ka shtuar ai.
Kosova do të përballet me Izraelin më 14 nëntor në Prishtinë, ndërsa më 17 nëntor do të luajë në udhëtim kundër Irlandës, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Burimi: RTKLive




