Protesta në kryeqytet ka vijuar dhe ditën e sotme pas përplasjeve të ditës së djeshme në protestën që përkoi me 28 nëntorin, festën e Pavarësisë së Shqipërisë.

Qytetarët u mblodhën fillimisht me flamuj dhe marshuan drejt Kryeministrisë, ku protesta u përshkallëzua në përplasje me policinë. Disa prej protestuesve hodhën fishekzjarrë dhe sende të forta në drejtim të efektivëve, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe plumba gome.
Përplasjet vijuan përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku pati edhe arrestime. Gjatë ndërhyrjes, gazi lotsjellës u përdor edhe përmes dronëve, ndërsa në terren u angazhuan autobotë me ujë për shpërndarjen e protestuesve. Një prej tyre hyri edhe në sheshin “Skënderbej”.
Gjatë protestës u plagos me plumb gome deputeti Kliti Hoti. Në pamjet e publikuara, ai shihet teksa afrohet drejt efektivëve të policisë dhe më pas goditet. Deputeti u transportua në Spitalin e Traumës, ku u vizitua edhe nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Ministria e Shëndetësisë raportoi 12 persona të lënduar, mes tyre deputeti Kliti Hoti, dy efektivë policie dhe një kalimtar i rastit.
Pas incidentit me deputetin, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, urdhëroi pezullimin e menjëhershëm të efektivit që qëlloi ndaj tij. Për rastin nisi hetim disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë, protestuesit krijuan një barrikadë pranë Bllokut të Ministrive. Një prej tyre tentoi të priste një shtyllë me gur fleksibël, ndërsa tensionet dhe përplasjet me policinë vijuan në disa pika të qendrës së Tiranës.





