Nga analiza e specifikave të tenderit të KOSTT-it për furnizim me nënstacion mobil, dyshohet për përshtatje të specifikave ndaj prodhuesit Hitachi Energy. Dy nga pjesët kryesore të pajisjes që po e kërkon KOSTT i përkasin teknologjisë ABB, e cila është tashmë pjesë e Hitachi Energy. Kjo kompani nuk është e panjohur me tendera në KOSTT.

Tenderi 8 milionësh i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT, për furnizim me nënstacion mobil, përveç rritjes së kostos në mënyrë të dyshimtë, ngre dyshime edhe për specifika favorizuese.
Veç kësaj, nga analiza e specifikave të këtij tenderi dyshohet për përshtatje të specifikave ndaj një prodhuesi të caktuar. Dy nga pjesët kryesore të nënstacionit mobil që po e kërkon KOSTT-i, bazuar në këto specifika, i përkasin teknologjisë së kompanisë Hitachi Energy. Kjo kompani nuk është e panjohur me tendera në KOSTT.
Një prej pjesëve më kritike të një nënstacioni mobil, është modul ndërprerësi. Kjo pajisje shërben për të lidhur, shkëputur dhe kontrolluar furnizimin me energji elektrike, si dhe për të mbrojtur rrjetin në rast të defekteve.
KOSTT për këtë nënstacion ka kërkuar Modul Ndërprerës 145KV Hibrid të tipit PASS ose ekuivalent. Pikërisht këtu ngriten dyshime për specifika favorizuese.
Tipi PASS (Plug and Switch System) është emërtim tregtar i teknologjisë së ABB-së, tashmë pjesë e portofolit të kompanisë Hitachi Energy.
Pajisja e Hitachi Energy
Madje, po ta bësh një kërkim të thjeshtë për këtë kërkesë në Google, shfaqet direkt pajisja e Hitachi Energy “Hybrid Switchgear PASS M0 – 145 to 170 kV”, i lansuar në vitin 1999.
Të dhënat teknike për këtë pajisje që i ka kërkuar KOSTT, përputhen me ato të pajisjes që ofron Hitachi.
Për KOSTT-in, ky specifikim ndonëse përmban emërtimin tregtar PASS, nuk është favorizues.
Në një përgjigje KOSTT-i është arsyetuar se për shkak të natyrës dhe kërkesave specifike të projektit, është e domosdoshme që fusha e transformatorit të jetë e tipit sistem hibrid modular kompakt.
“Specifikimet teknike të përcaktuara për këtë fushë transformatorike, përkatësisht për stabilimentin elektroenergjetik në fjalë, nuk favorizojnë asnjë prodhues të caktuar. Kërkesat janë përcaktuar në atë mënyrë që të mundësojnë ofrimin e pajisjeve nga prodhues të ndryshëm, me kusht që ato të përmbushin karakteristikat teknike, standardet e performancës dhe kërkesat funksionale, duke ofruar zgjidhje ekuivalente dhe/apo më të avancuara”, thuhet në përgjigje.
Të dhënat teknike për pajisjen e Hitachi
KOSTT ka thënë se mbetet i përkushtuar në respektimin dhe zbatimin e legjislacionit në fuqi, duke siguruar që specifikimet teknike të hartohen në përputhje me dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik (LPP).
Por, sipas këtij ligji, autoriteti kontraktues është veçanërisht i ndaluar që të hartojë specifikime teknike që favorizojnë ose diskriminojnë kompani.
Neni 27 i këtij Ligji thekson se autoriteti kontraktues nuk lejohet të përpilojë specifikime teknike që i referohen një artikulli ose burimi të veçantë.
“Autoriteti kontraktues nuk do të përpilojë specifikimet teknike që i referohen një artikulli ose burimi të veçantë, ose një procesi të hollësishëm, ose ndonjë shenje dalluese, lloji ose origjine të veçantë ose ndonjë prodhimi”, parasheh ky nen.
Ligji për Prokurimin Publik
Bajraktarit, sapo i është përmendur që është telefonuar lidhur me tenderin e KOSTT, ka thënë se nuk është as i mandatuar e as i autorizuar për komunikim me media.
Kur i është kërkuar sqarim nëse teknologjia PASS i përket Hitachit, Bajraktari ka thënë se nuk është ekskluzivisht prodhim i Hitachi dhe se mund të prodhohet edhe nga prodhues të tjerë.
“Teknologjia hibride është teknologji që mund të prodhohet edhe prej prodhuesve tjerë, kështu që nuk është ekskluzivisht prodhim i Hitachi. Mund të prodhohet edhe nga GE që është kompani amerikane, mund të prodhohet edhe Siemens’it që është kompani gjermane, por edhe prej kompanive tjera. Është emërtim për pajisje hibride. Pajisje hibride nuk është që vetëm Hitachi mundet me prodhu, por prodhojnë edhe prodhues tjerë”, ka deklaruar Bajraktari.
Referimi i emrit të prodhuesit vetëm tek specifikat në shqip
Një pikë tjetër e dyshimtë lidhet me referimin e emrit të prodhuesit në dokumentacion vetëm në versionin shqip, tek pozicionet për kthinat e tensionit të mesëm.
Për Kthinë modular 24kV – Fushën hyrëse, KOSTT, tek specifikat në gjuhën shqipe, ka kërkuar “UniGear ZS1”, të kompanisë ABB. Kjo është një pajisje elektrike për shpërndarjen dhe kontrollin e energjisë elektrike në tension të mesëm.
Specifikat teknike në gjuhën shqipe
E njëjta kërkesë është edhe për Kthinë Modulal 24kV – Fushën për transformator shtëpiak, ku kërkohet specifikisht ky produkt e me prodhues ABB. Ky është produkt ekskluziv i kësaj kompanie, teksa nuk është lënë fare hapësira për produkt ekuivalent.
Specifikat teknike në gjuhën shqipe
Sipas Ligjit për Prokurim Publik, është kusht që çfarëdo referimi të shoqërohet me fjalët “ose ekuivalent”. Tek kërkesat për kthinat, kjo mungon.
“… autoriteti kontraktues mundet, që në kushte të jashtëzakonshme, të hartojë specifikime teknike ose të bëjë një referim të tillë të veçantë, nëse autoriteti kontraktues në mënyrë të qartë vërteton se, nuk është e mundur që të përpilojë një specifikim mjaft të saktë dhe të kuptueshëm të lëndës së kontratës përkatëse, në pajtim me paragrafin 3-6. të këtij neni ose ndryshe; me kusht që, çfarëdo referimi i tillë të shoqërohet me fjalët “ose ekuivalent””, parashihet me ligj.
Nga hulumtimi del se Hitachi Energy ka përdorur panele të tilla në një projekt në Mbretërinë e Bashkuar, gjatë viteve 2021-2022, në një nënstacion modular.
Në njoftimin për këtë projekt, Hitachi i prezantonte këto panele si teknologji të veten.
“Nënstacioni i vendosur në kontejner përbëhet nga 26 panele të pajisjeve komutuese të tensionit të mesëm (MV) UniGear ZS1 të Hitachi Energy”, thuhet në njoftim.
Postim në webfaqen zyrtare të Hitachi Energy
Kërkesat për pajisjen “UniGear ZS1” paraqiten edhe tek dokumenti tjetër ku shfaqen të dhënat e specifikuara të tenderit, por që aty nuk përmendet emri i kompanisë prodhuese.
DTSH Mobile Substation
Por, ky emërtim nuk shfaqet tek Specifikat e Tenderit në gjuhën angleze, dokument prej 151 faqesh, që është përcaktuar edhe si dokumenti referues për këtë tender.
Mediumi e ka pyetur KOSTT-in se pse ka ndodhur kjo dhe nëse referimi tek specifikat e një pajisjeje që është produkt ekskluziv i një kompanie është në harmoni me Ligjin, por as këtë herë s’ka marrë përgjigje.
Takimi i Kryeshefit të KOSTT me Drejtorin Menaxhues të Hitachi në Kosovë
Rreth kohës kur Kryeshefi i KOSTT-it, Trim Tërnava, kishte marrë detyrën, u raportua një takim të zhvilluar mes tij dhe Besart Bajraktarit, që figuron si një prej Drejtorëve Menaxhues të degës së Hitachi Energy për Kosovë.
Takimi është zhvilluar në objektin e ndërmarrjes publike, KOSTT.
Bajraktari ka thënë për Buletinin se asnjëherë nuk ka diskutuar lidhur me tenderin për furnizim me nënstacion mobil.
Tërnava ndërkohë nuk ka qenë i qasshëm në telefonon.
Konsultat me OST-në, që bashkëpunon me Hitachi-n prej dy dekadash
Hartues të specifikave për këtë tender, sipas KOSTT-it, kanë qenë një ekip inxhinierësh brenda ndërmarrjes, bazuar në kërkesat dhe nevojat teknike të projektit.
Por, sipas mediumit para hartimit të specifikave, nga KOSTT kanë zhvilluar konsulta me Operatorin e Sistemit të Transmetimit në Shqipëri (OST), lidhur me këtë projekt.
OST-ja ka bashkëpunim pothuajse dy dekadësh më Hitachi. Ky bashkëpunim theksohet edhe në webfaqen e Hitachi Energy.
“Bazuar në një bashkëpunim që shtrihet në pothuajse dy dekada, rrjeti energjetik i Shqipërisë mbështetet në ekspertizën konsulente të Hitachi Energy, si dhe në zgjidhjet e saj lider në industri për automatizimin e nënstacioneve dhe sistemet e komunikimit”, thuhet në një publikim të Hitachi Energy.
Postim në webfaqen zyrtare të Hitachi Energy
Tenderat e mëparshëm të Hitachi Energy në Kosovë
Kompania Hitachi Energy nuk është e panjohur me tendera në KOSTT. Si degë në Kosovë, kjo kompani ka filluar të operojë që nga shkurti i vitit 2020.
Një vit më pas, në mars të vitit 20221, “Hitachi Energy Zagreb d.o.o” ka marrë kontratën për ndërtimin e Nënstacionit 110/35/10 (20)kV Kastrioti.
Sipas raportit vjetor të KOSTT-it për vitin 2023, vlera e kësaj kontrate ishte 4,701,015.97 euro.
Raporti Vjetor i KOSTT 2023
Në dhjetor të po atij viti, “Hitachi Power Grids Zagreb d.o.o” kishte nënshkruar kontratën tjetër me KOSTT për ndërtimi e Nënstacionit të ri GIS. 110/35/10(20) kV Fushë Kosova.
Vlera e kontratës, sipas KOSTT, ishte 3,849,199.19 euro.
Raporti Vjetor i KOSTT 2023
Ndërkohë, në janar të vitit 2025, Besart Bajraktari, kishte shpërndarë postimin e KOSTT-it për inaugurimin e Nënstacionit Ferizaj 3.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, vlera e këtij projekti ishte 6.8 milionë euro.
Postimi i KOSTT, i shpërndarë nga Bajraktari
“Pas energjizimit dhe inaugurimit me sukses të Nënstacionit Fushë Kosova 110/35/10(20) kV, ne, #HitachiEnergy, jemi krenarë të njoftojmë se javën e kaluar kemi energjizuar dhe inauguruar me sukses edhe nënstacionin e dytë, Ferizaj 3 (Kastrioti) 110/35/10(20) kV, duke shënuar kështu një tjetër moment të rëndësishëm në angazhimin tonë për avancimin e infrastrukturës energjetike”, shkruante Bajraktari në LinkedIn.
Postimi i Besart Bajraktarit në Linkedin.
Tenderi i KOSTT-it për furnizim me nënstacion mobil është ende në procedurë prokurimi. Afati i fundit për dorëzim të ofertave është 6 nëntori. Vlera e parashikuar e kontratës është 8 milionë e 20 mijë euro.
Nënstacioni Mobil është një sistem i lëvizshëm që përdoret për të transformuar tensionin e energjisë elektrike dhe për të mundësuar furnizimin e rrjetit. Ai zakonisht vendoset mbi një platformë (kamion) transportuese dhe mund të zhvendoset nga një lokacion në tjetrin.
Nënstacione të tilla përdoren kryesisht në raste emergjente, gjatë prishjeve të pajisjeve ekzistuese, gjatë punimeve për mirëmbajtjen e rrjetit ose kur nevojitet përkohësisht kapacitet shtesë për furnizim me energji elektrike.
Në rastin e tenderit të KOSTT-it, bëhet fjalë për një nënstacion mobil me kapacitet transformimi prej 31.5 megavolt-amperësh (MVA), i cili mund të ulë tensionin e energjisë elektrike nga 110 kilovoltë (kV) në 10 ose 20 kilovoltë, për ta përshtatur atë për rrjetin e shpërndarjes.
Burimi: Insajderi




