Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin nga detyra të drejtorit të prokurimit në Policinë e Kosovës, Artan Fejzës, ndaj të cilit po zhvillohet hetim paraprak për dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe konflikt interesi.

Sipas informacioneve të siguruara nga gazetarja e Klan Kosovës, Atliana Zogaj, hetimi përfshin edhe një tender për furnizimin e Policisë së Kosovës me autobusë, i cili sipas dyshimeve ishte zhvilluar përmes procedurës së negociuar.
Bazuar në të njëjtat burime të gazetares, dyshimet për konflikt interesi lidhen me një të afërm të Fejzës, të cilit dyshohet se i është mundësuar përfitimi i një tenderi të caktuar përmes një marrëveshjeje për çmimin.
Po ashtu, hetimet përfshijnë edhe kontrata të tjera të prokurimit, përfshirë tenderë konfidencialë të Policisë së Kosovës.
Në njoftimin e IPK-së thuhet se dyshimet lidhen me dhjetëra kontrata të realizuara përmes procedurave të negociuara dhe konfidenciale.
IPK, në koordinim me Prokurorinë Speciale, është duke ndërmarrë veprime hetimore për ndriçimin e plotë të rastit.




