Të premten bojkotohet mësimi në “Ismail Qemali” në Prishtinë, shkak gjendja e rëndë higjienike

Të premten bojkotohet mësimi në “Ismail Qemali” në Prishtinë, shkak gjendja e rëndë higjienike

Të premten bojkotohet mësimi në “Ismail Qemali” në Prishtinë, shkak gjendja e rëndë higjienike

Këshilli i Prindërve i Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë ka njoftuar se të premten, më 6 nëntor, do të bojkotohet në tërësi procesi mësimor, për shkak të gjendjes së rëndë higjieno-sanitare në shkollë.

Në një njoftim drejtuar të gjithë prindërve, Këshilli ka thënë se vendimi vjen pas mungesës së një zgjidhjeje konkrete për problemin e pastrimit dhe mirëmbajtjes së objektit shkollor, si dhe shqetësimeve për rrezikun që këto kushte mund të paraqesin për shëndetin e nxënësve.

Sponsor 3M Express

Sipas prindërve, punëtorët e pastrimit janë në grevë, ndërsa, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes, ata kanë qenë të detyruar që vetë të kujdesen për pastrimin e shkollës.

Ata kanë shprehur pakënaqësi edhe me mungesën e reagimit nga Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA), duke shtuar se drejtori i saj nuk po pranon t’i takojë për të diskutuar problemin dhe për të gjetur një zgjidhje.

Prindërit kanë vlerësuar se, në mungesë të ndërhyrjes institucionale, gjendja në shkollë është bërë shqetësuese dhe mund të rrezikojë shëndetin e fëmijëve.

Për këtë arsye, ata kanë vendosur që bojkotimi i së premtes të jetë në tërë procesin mësimor, deri në adresimin e problemit të higjienës dhe mirëmbajtjes së shkollës.

“Duke marrë parasysh gjendjen tejet shqetësuese higjieno-sanitare në shkollën tonë, mungesën e një zgjidhjeje konkrete për problemin e pastrimit dhe mirëmbajtjes, si dhe rrezikun e mundshëm që këto kushte paraqesin për shëndetin e fëmijëve tanë, ju njoftojmë se: TË PREMTEN, MË 6 NËNTOR 2026, BOJKOTOHET NË TËRËSI PROCESI MËSIMOR NË SHFMU “ISMAIL QEMALI”. Ky është vendim unanim i Këshillit të Prindërve të Shkollës (KPSH), si reagim ndaj gjendjes së krijuar dhe mungesës së garancive konkrete për sigurimin e një ambienti të pastër dhe të sigurt për nxënësit. Pavarësisht përpjekjeve dhe komunikimeve të vazhdueshme me institucionet përgjegjëse, situata ende nuk ka marrë zgjidhje të qëndrueshme.

Njoftimet për marrëveshje në mes të sindikatës dhe Komunës nuk përbëjnë garanci se shërbimet e pastrimit do të rifillojnë menjëherë dhe se shkolla do të ofrojë kushte të pranueshme higjienike. Shqetësimi ynë është edhe më i madh pasi janë raportuar raste të reaksioneve alergjike te fëmijët, të cilat kërkojnë vlerësim nga autoritetet kompetente shëndetësore.

Ne nuk mund të vazhdojmë të qëndrojmë indiferentë përballë kësaj situate. Dëshirojmë të jemi shumë të qartë: Nuk jemi kundër procesit mësimor. Përkundrazi, kërkojmë që ai të zhvillohet rregullisht dhe në kushte dinjitoze. Respektojmë plotësisht të drejtat dhe kërkesat e punëtorëve që janë në grevë. Nuk kërkojmë privilegje apo kushte të jashtëzakonshme.

Kërkojmë vetëm të drejtën themelore të çdo fëmije: një shkollë të pastër, të shëndetshme dhe të sigurt. Kërkojmë nga Komuna e Prishtinës, Drejtoria e Arsimit dhe institucionet përgjegjëse ndërhyrje të menjëhershme, pastrim të plotë të ambienteve shkollore dhe një zgjidhje të qëndrueshme që garanton mirëmbajtjen e vazhdueshme. Arsimimi është e drejtë themelore, por kjo e drejtë nuk mund të realizohet duke cenuar shëndetin dhe sigurinë e fëmijëve.

Prandaj, ftojmë të gjithë prindërit që nesër, më 6 nëntor 2026, të mos i dërgojnë fëmijët në shkollë, duke iu bashkuar këtij reagimi paqësor dhe të përbashkët. Ky veprim nuk ndërmerret për të dëmtuar procesin arsimor, por për të kërkuar përgjegjësi dhe veprime konkrete nga ata që kanë detyrimin të garantojnë kushtet për zhvillimin e tij. SHËNDETI I FËMIJËVE TANË NUK ËSHTË I NEGOCIUESHËM! Ju lutemi të gjithë përfaqësuesve të prindërve që ta shpërndajnë këtë njoftim në grupet përkatëse të klasave, në mënyrë që secila familje të informohet me kohë. Ju falënderojmë për mirëkuptimin, solidaritetin dhe përgjegjësinë e përbashkët”, thuhet në njoftimin e plotë.

Burimi: Dukagjini

Lexo edhe

Atletico Madridi synon dy talentët e Barcelonës për janar

Atletico Madridi synon dy talentët e Barcelonës për janar

Gërvalla: Drejtësia duhet ta thotë fjalën e saj për Astrit Deharin

Gërvalla: Drejtësia duhet ta thotë fjalën e saj për Astrit Deharin

Dita e nëntë e protestës, “Gjumi s’ka me ju marrë” vendoset në rrugën para stacionit policor

Dita e nëntë e protestës, “Gjumi s’ka me ju marrë” vendoset në rrugën para stacionit policor