Të paktën tre persona kanë humbur jetën pasi cikloni Arnab goditi bregdetin lindor të Indisë, duke shkaktuar dëme të shumta, reshje të dendura dhe erëra me shpejtësi deri në 135 km/h.

Stuhia mbërriti në shtetin Andhra Pradesh të mërkurën në mëngjes, duke rrëzuar pemë mbi autostrada dhe duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike në disa zona, transmeton Telegrafi.
Narendra Singh Bundela, zyrtar i lartë i Forcës Kombëtare të Reagimit ndaj Fatkeqësive (NDRF), konfirmoi se tre persona humbën jetën nga stuhia dhe se Andhra Pradesh ishte rajoni më i prekur.
Kryeministri i këtij shteti, N. Chandrababu Naidu, i tha ministrit federal të Brendshëm, Amit Shah, se të paktën 180 shtëpi ishin shkatërruar, 220 pemë ishin rrëzuar dhe furnizimi me energji elektrike ishte ndërprerë në disa zona. Sipas zyrtarëve të zyrës së tij, dy nga viktimat humbën jetën si pasojë e rënies së një peme dhe goditjes nga rryma elektrike.
Një ditë më parë, të paktën 180 mijë banorë ishin evakuuar nga shtetet Andhra Pradesh dhe Odisha. Fluturimet dhe shërbimet hekurudhore u anuluan, ndërsa disa shkolla u detyruan të mbylleshin. Autoritetet vlerësojnë se më shumë se 12 milionë njerëz jetojnë në zonën që mund të preket nga cikloni.
Një banor i distriktit Kakinada, në Andhra Pradesh, përshkroi pasigurinë gjatë stuhisë: “Askush nuk e dinte se në shtëpinë e kujt do të vërshonte uji më pas apo cila shtëpi do të përmbytej”.
Departamenti Meteorologjik i Indisë paralajmëroi për një ngritje të nivelit të detit deri në 1.5 metra mbi nivelin e baticës, duke rrezikuar përmbytjen e zonave të ulëta në Andhra Pradesh.
Arnab fillimisht u klasifikua si “stuhi ciklonike shumë e rëndë”, kategoria e tretë më e lartë në sistemin përkatës, por më pas u ul në kategorinë “e rëndë” pasi lëvizi më tej drejt brendësisë së vendit.
Ndërkohë, në Nepalin fqinj, autoritetet u kanë bërë thirrje turistëve të shmangin zonat malore në lartësi të mëdha, nga frika se cikloni mund të shkaktojë reshje të rrëmbyeshme, stuhi dëbore dhe ortekë nga e enjtja deri të shtunën. Sipas Reuters, autoritetet kanë pezulluar për tri ditë lëshimin e lejeve për ecje malore.
Kjo periudhë përkon me sezonin kulmor të ecjeve në malet e Nepalit, ku rreth 750 alpinistë dhe turistë pajisen çdo ditë me leje.
Nepali ende po përballet me pasojat e shembjes katastrofike të një mase akullnajore malore në gusht, e cila, sipas raportimit, la më shumë se 1,400 të vdekur dhe të paktën 5,000 persona të zhdukur.
Edhe Sri Lanka ka mbyllur shkollat, pasi Departamenti i Meteorologjisë paralajmëroi se stuhia mund të shkaktojë përmbytje të menjëhershme dhe rrëshqitje dheu. /Telegrafi/




