Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë mbledhjen e radhës të hënën, më 2 nëntor, duke filluar nga ora 11:00, në sallën C-301.

Sipas agjendës së publikuar, në këtë mbledhje do të shqyrtohet propozimi për rendin e ditës të seancës plenare të radhës, ku janë përfshirë disa çështje dhe projektligje.
Ndër pikat kryesore janë tri projektligje që pritet të shqyrtohen në lexim të parë: Projektligji për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Projektligji për Regjistrimin e Bujqësisë dhe Projektligji për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë.
Po ashtu, anëtarët e Kryesisë do të shqyrtojnë Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për auditimin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2025.
Në agjendë janë përfshirë edhe propozimet e grupeve parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës për zëvendësimin e deputetëve në komisionet parlamentare, si dhe propozimi i Listës Serbe për emërimin e deputetëve në këto komisione.
Përveç këtyre pikave, në mbledhje do të trajtohen edhe deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare dhe miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




