Mes frikës në rritje se SHBA-ja dhe Izraeli po përgatiten të ndërmarrin sulme të reja kundër Iranit pas zgjedhjeve të ndërmjetme në SHBA më 3 nëntor, tri fuqi të rëndësishme të Lindjes së Mesme i përcollën Teheranit drejtpërdrejt një mesazh të koordinuar diplomatik.

Shefi i ushtrisë pakistaneze, Asim Munir, ministri saudit i Mbrojtjes, Khalid bin Salman, dhe kreu i inteligjencës turke, Ibrahim Kalin, udhëtuan të hënën (26.10.2026) drejt Iranit për t’u takuar në Teheran me presidentin iranian Masoud Pezeshkian dhe zyrtarë të lartë.
Të tre të dërguarit përfaqësojnë paktin e mbrojtjes së Mekës, një aleancë ushtarake mes Islamabadit, Riadit dhe Ankarasë, e krijuar zyrtarisht këtë verë.
Arabia Saudite deklaroi se qëllimi i vizitës ishte hapja e kanaleve të negociatave dhe “parandalimi i rikthimit të përshkallëzimit ushtarak”.
Megjithatë, hollësitë rreth agjendës mbeten të pakta.
Një zyrtar i lartë pakistanez, i cituar nga agjencia e lajmeve Reuters, tha se bisedimet u përqendruan në krijimin e një rrjeti rajonal të mossulmimit, krahas bisedimeve SHBA-Iran, sulmeve të rebelëve Houthi ndaj Arabisë Saudite, situatës në Ngushticën e Hormuzit dhe bllokadës detare amerikane.
Një tjetër zyrtar tha se Munir i paraqiti Iranit një zgjidhje për konfliktin, e cila do t’u ofronte diçka si Uashingtonit, ashtu edhe Teheranit, ndërsa tre shtetet e paktit të Mekës dhe Katari do të vepronin si ndërmjetës.
Burimi i tha Reuters, se presidenti i SHBA-së Donald Trump i kishte dhënë më parë Munirit miratimin për të provuar rrugën diplomatike.
Teherani e paraqet takimin si sukses
Irani përshëndeti “atmosferën shumë pozitive” gjatë bisedimeve në Teheran, megjithëse zyrtarisht nuk u njoftua për ndonjë përparim vendimtar.
“Mes nesh u zhvilluan diskutime shumë të mira”, tha për televizionin shtetëror Mohsen Rezaei, kreu i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit.
“Kam përshtypjen se në rajon po krijohet një atmosferë e re.”
Rezaei argumentoi se siguria rajonale duhet të ndërtohet nga vetë vendet e Azisë Perëndimore dhe pa ndërhyrje nga jashtë.
Një ditë më vonë, sipas raportimeve, Rezaei u takua me Udhëheqësin Suprem.
Mediat shtetërore iraniane njoftuan se Khamenei bëri thirrje për mbrojtjen e interesave të Iranit dhe ruajtjen e kushteve të Teheranit për t’i dhënë fund si luftës, ashtu edhe gjendjes aktuale “as luftë, as paqe”.
Ndërkohë, presidenti iranian Masoud Pezeshkian udhëtoi drejt Moskës për Forumin e Vendeve Eksportuese të Gazit, ku u takua me presidentin rus Vladimir Putin dhe emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani.
Pezeshkian dhe emiri diskutuan gjithashtu për luftën dhe Ngushticën e Hormuzit.
A po rreshtohen Turqia dhe Pakistani përkrah Arabisë Saudite?
Fronti i përbashkët që tre vendet paraqitën në Teheran mund të shihet gjithashtu si një demonstrim force i aleancës së re të mbrojtjes së Mekës.
Kjo ndodh në një kohë kur sauditët po shqetësohen gjithnjë e më shumë për sulmet ndaj infrastrukturës së Arabisë Saudite nga militantët Houthi, aleatë të Iranit.
Sipas kushteve të marrëveshjes së Mekës, një sulm nga jashtë kundër njërit prej shteteve anëtare do të konsiderohet si sulm kundër të gjithëve.
Vizita u zhvillua gjithashtu në të njëjtën ditë kur parlamenti i Egjiptit ra dakord t’i ofronte ndihmë ushtarake Riadit dhe të merrte “të gjitha masat e nevojshme” për të ndihmuar Arabinë Saudite të mbrohej, krahas kërcënimit të afërt nga SHBA-ja dhe Izraeli.
“Prania në të njëjtën kohë e tre përfaqësuesve të lartë përcolli mesazhin se këto vende po veprojnë si një bllok”, tha për DW Babak Dorbeiki, analist politik me bazë në Londër dhe ish-zyrtar i Qendrës së Studimeve Strategjike të Iranit.
Arabia Saudite konsiderohet prej kohësh rivali kryesor i Iranit në rajon.
Ajo ka përdorur pasurinë e saj të jashtëzakonshme për të kundërshtuar ndikimin iranian dhe tani, të paktën teorikisht, mund të mbështetet gjithashtu te kapaciteti bërthamor i Pakistanit dhe fuqia ushtarake konvencionale e Turqisë.
Në të njëjtën kohë, Dorbeiki argumenton se pakti i Mekës është konceptuar kryesisht për parandalim dhe jo për një luftë sulmuese.
Ekzistenca e një pakti mbrojtës nuk do të thotë se anëtarët e tij duan të luftojnë kundër Iranit.
Sipas Dorbeikit, mesazhi i këtij blloku mund të funksionojë në dy drejtime: ai mund të ofrojë ndërmjetësim, por vazhdimi i përshkallëzimit mund ta ndryshojë këtë qëndrim.
Riadi synon një “zgjidhje diplomatike”
Arabia Saudite përballet me dilemën më të drejtpërdrejtë. Sulmet e mëtejshme të Houthive kanë dëmtuar infrastrukturën dhe ekonominë e saj, por një luftë më e gjerë me Iranin mund të rrezikojë projektet e investimeve dhe zhvillimit që janë në zemër të strategjisë ekonomike të Riadit.
“Për Arabinë Saudite, si situata aktuale, ashtu edhe një luftë me Iranin sjellin kosto serioze”, tha Dorbeiki.
“Prandaj, rruga e saj e preferuar është një zgjidhje diplomatike.”
Për më tepër, Pakistani ka ndërmjetësuar prej muajsh mes Uashingtonit dhe Teheranit dhe ka marrëdhënie të rëndësishme me të dyja palët.
Një konflikt i drejtpërdrejtë do ta largonte gjithashtu vëmendjen e Islamabadit nga shqetësimet e tij të kahershme të sigurisë që lidhen me Indinë.
Turqia është anëtare e NATO-s, por Dorbeiki tha se mbështetja e drejtpërdrejtë ushtarake për Iranin kundër Shteteve të Bashkuara është shumë e pamundur.
Fakti që Ankaraja dërgoi kreun e inteligjencës, Ibrahim Kalin, dhe jo ministrin e Jashtëm apo atë të Mbrojtjes, sugjeron gjithashtu një qasje të kujdesshme.
Irani ndjek diplomacinë, ndërsa përgatitet për luftime
Ali Asghar Shafieian, këshilltar për mediat i presidentit iranian Masoud Pezeshkian, hodhi poshtë gjithashtu interpretimin se përfaqësuesit e paktit të Mekës po përpiqeshin t’i paraqisnin Teheranit një ultimatum.
Ai i tha DW se të tri vendet mund të kenë dashur gjithashtu të demonstronin koordinimin e tyre në rritje, duke treguar njëkohësisht se Irani mbetet pjesë e diplomacisë rajonale.
“Vetëm nga ky takim nuk mund të arrihet në përfundimin se bëhej fjalë për një ultimatum përpara një sulmi”, tha Shafieian.
Ai theksoi gjithashtu se Irani, ashtu si SHBA-ja dhe Izraeli, mund të përgatitet për mundësinë e një konflikti të mëtejshëm, duke vazhduar njëkohësisht negociatat.
“Ashtu si ata e shfrytëzojnë mundësinë për të forcuar kapacitetet e tyre ushtarake dhe mbrojtëse, të njëjtën gjë bën edhe Irani”, tha ai, duke shtuar se një marrëveshje mbetet e mundshme nëse respektohen pozita politike e Iranit dhe ajo që Teherani e përshkruan si dinjitetin e tij kombëtar.
Loja diplomatike vazhdon
Dorbeiki argumenton se Irani po ndjek një strategji të njohur: zgjatjen e negociatave, duke shmangur njëkohësisht angazhimet konkrete.
Rebelët Houthi janë një element kyç në përllogaritjet e Teheranit.
Teherani nuk ka ofruar publikisht garancitë për sulmet e Houthive që Riadi do të dëshironte.
Dorbeiki beson se Irani mund të përpiqet ta përdorë ndikimin e tij mbi sulme të tilla si mjet negocimi në këmbim të lëshimeve, si përfundimi i presionit ushtarak amerikan dhe hapa më të gjerë drejt përfundimit të luftës. /DW/




