Nënkryetari i Aleancës dhe shefi i deputetëve të kësaj partie, Besnik Tahiri, ka deklaruar se për rastin e Arlinda Zekajt, duhet të ketë shkarkime, nëse sipas tij, nuk ka dorëheqje.

Në emisionin DPT te Fidani, ai ka thënë se tashmë dihet edhe mënyra se si kanë dështuar hallkat e shtetit për trajtimin e këtij rasti dhe se sipas tij, për këtë duhet të ketë përgjegjësi.
“Dështimi dihet ku ka qenë… ka qenë te organet e rendit dhe ligjit, te sistemi i drejtësisë dhe Qendra e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Papërgjegjësia këtu është qaq e madhe, dështimi është qaq serioz, saqë nëse nuk ka dorëheqje, atëherë shkarkimi duhet me ndodhë, por nëse s’ka as dorëheqje, e as shkarkim, atëherë protestusit kanë me nejtë te dera…” – tha ai.
Ndryshe, protestat për këtë rast janë duke u mbajtur qe dy ditë me radhë. Protestuesit kanë kërkesa të qarta, që duhet të ketë dorëheqje ose shkarkime, përfshirë ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. /Klankosova.tv




