Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke i akuzuar për përpjekje për të përfituar politikisht nga vrasja e Arlinda Zekajt.
Duke folur në Kuvend, Tahiri iu referua publikimit të një fotografie të deputetit të AAK-së, Daut Haradinaj, me personin e dyshuar për vrasjen e Zekajt, duke e cilësuar të ulët përpjekjen për të ndërlidhur politikisht një tragjedi të tillë.

Ai tha se rasti kërkon reagim të shpejtë institucional, hetim penal dhe përgjegjësi nga institucionet përkatëse.
“Tragjedia e cila ndodhi para disa ditësh, nga vrasja barbare e cila e tronditi një shtet, e cila nuk po e lë rehat secilin prind që ka vajzë, secilin vëlla që ka motër, është tragjedi e cila kërkon veprim të shpejtë institucional, shtetëror, përgjegjësi, hetim penal dhe mbi të gjitha, përgjegjësi nga institucionet që janë në vend”, tha Tahiri.
Ai iu drejtua veçanërisht deputetëve të Vetëvendosjes, duke kritikuar atë që e cilësoi si përfitim politik nga rasti.
“Është e ulët që në çfarëdo rrethane, pa pasur evidencë, se cili prej nesh e se cili prej jush të mundohet të përfitojë politikisht nga një tragjedi, nga një trup që ende nuk ka qenë në dhe. E këtu po ju drejtohem juve, kolegë të nderuar të Lëvizjes Vetëvendosje”, deklaroi ai.
Tahiri kritikoi edhe deputetin e VV-së, Taulant Kelmendi, lidhur me reagimin e tij për fotografinë e Daut Haradinajt me të dyshuarin për vrasjen e Arlindës.
“Po i drejtohem deputet Taulantit, qysh ka mundësi Taulant me dalë me lexu fjalim në foltore e me u sjellë e pështjellë rreth forcave të Dukagjinit për çka që ka dalë dikush një foto që e paska hëngër dikush një drekë. Po ju deputetë që jeni të Dukagjinit këtu. E na bo vaki kemi në familjet tona njerëz psikopatë. E mu çu me e lidhë e me e pështjellë një njeri, një deputet, që familja e tij e njeh mirë kush. Kjo është e ulët”, tha Tahiri.
Kritika pati edhe për deputeten e Vetëvendosjes, Arlinda Fejza, lidhur me një deklaratë të saj në një emision televiziv për ish-kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, të cilin ajo e kishte ndërlidhur me pretendime për dhunë ndaj gruas.
Tahiri vuri në pikëpyetje bazën e këtyre pretendimeve dhe tha se nuk duhet të bëhen akuza pa dëshmi.
“Po e dimë prej mediave për juve. A e dini çka shoh unë në media? Për Xhelal Sveçlën, e kam pa me atë vrasësin e tri vrasjeve. E unë me akuzu Xhelal Sveçlën e me akuzu Albin Kurtin që e kam pa me atë Naim Murselin, që s’di a është e vërtetë, a rren”, shtoi ai.
Burimi: Dukagjini




