Sipas komunikatës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, Sveçla e ka njoftuar gjeneralin Salimbeni për progresin e arritur në Kosovë në fushën e sigurisë, si dhe ka shprehur mirënjohjen për kontributin e pjesëtarëve të Karabinierëve në Kosovë, në mbështetje të institucioneve të vendit dhe në funksion të ruajtjes së sigurisë, paqes dhe stabilitetit.
Temë e takimit ishte edhe themelimi dhe zhvillimi i Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës, si një prioritet i Qeverisë që tashmë Ministria e Punëve të Brendshme ka filluar ta jetësojë.

Sipas MPB-së, gjatë takimit “u shkëmbyen pikëpamje mbi mundësitë për thellimin e bashkëpunimit, me fokus në shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës profesionale, si dhe në zbatimin e standardeve dhe praktikave më të mira për zhvillimin e kësaj komponente të sigurisë”.
Ministria ka theksuar se Armata e Karabinierëve, me një traditë mbi 212-vjeçare, përfaqëson një nga institucionet më të konsoliduara të sigurisë në Evropë, duke ndërthurur funksionet me disiplinën institucionale dhe përvojën e gjerë në operacionet ndërkombëtare të sigurisë dhe stabilitetit.
Në komunikatë thuhet se ministri Sveçla ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e mëtejmë të sigurisë në vend.
“Thellimi i partneriteteve dhe bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët mbeten të rëndësishme për garantimin e sigurisë, ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si dhe mbrojtjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Burimi: RTKLive




