Policia e Kosovës ka suspenduar 11 zyrtarë policorë lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra në Vitomiricë të Pejës. Suspendimet janë bërë pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), ndërsa ndaj zyrtarëve po zhvillohet hetim paraprak për veprimet ose mosveprimet e tyre në këtë rast.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në mesin e të suspenduarve janë ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Pejë, si dhe zyrtarë të tjerë policorë.
Lista përfshin edhe shefin e Sektorit të Hetimeve në Stacionin Policor në Pejë, ushtruesin e detyrës së shefit të Sektorit të Operativës, komandantin e Nënstacionit në Vitomiricë dhe katër hetues policorë të Stacionit Policor në Pejë.
Policia ka bërë të ditur se suspendimet janë kryer në bazë të Ligjit të Policisë së Kosovës, udhëzimit administrativ për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore, si dhe rekomandimit të IPK-së.
“Suspendimet janë bërë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përgjegjësive individuale, në trajtimin e rastit”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në ruajtjen e integritetit dhe ofrimin e shërbimit në mënyrë të drejtë e të paanshme, si dhe se do të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet relevante.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




