Gjiganti i kriptomonedhave Binance njoftoi se asete dixhitale me vlerë 6.3 miliardë dollarë janë prekur nga një sulm kibernetik, i cili mund të jetë më i madhi i regjistruar ndonjëherë në historinë e kriptomonedhave. Kompania bëri të ditur se rreth gjysma e aseteve janë ngrirë me ndihmën e platformave të tjera dhe premtoi të mbulojë të gjitha humbjet.

Sipas Binance, kontrollet paraprake sugjerojnë se sulmi mund të ketë lidhje me një kompjuter portativ të një inxhinieri, i cili ishte komprometuar nga persona të paautorizuar. Kjo mund t’u ketë mundësuar sulmuesve të kryenin tërheqje të paligjshme të aseteve dixhitale.
Dy kompani të specializuara në analizën e transaksioneve me kriptomonedha, TRM Labs dhe Chainalysis, kanë lidhur sulmin me grupin e hakerëve koreano-veriorë të njohur si TraderTraitor.
Sipas TRM Labs, disa elemente të sulmit ndaj Binance ngjajnë me incidente të mëparshme që u janë atribuar grupeve të lidhura me Korenë e Veriut, përfshirë sulmin ndaj platformës Bybit në vitin 2025, ku u vodhën rreth 1.5 miliardë dollarë.
Ari Redbord, drejtues i politikave globale në TRM Labs, e cilësoi incidentin si një moment historik për industrinë e kriptomonedhave, duke theksuar se ai është i paprecedentë për nga përmasat.
Ai paralajmëroi se sulmuesit zotërojnë ende një sasi shumë të madhe të aseteve të vjedhura, ndaj gjurmimi dhe rikuperimi i tyre do të jetë një proces i vështirë.
Edhe Chainalysis deklaroi se ka një nivel të lartë besueshmërie se grupi koreano-verior është i lidhur me sulmin. Eric Jardine, drejtues i kërkimeve në këtë kompani, u bëri thirrje të gjitha platformave të kriptomonedhave të rrisin vigjilencën ndaj kërcënimeve kibernetike.
Binance nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë për pretendimet mbi përfshirjen e Koresë së Veriut, por deklaroi se po bashkëpunon ngushtë me autoritetet ligjzbatuese për të identifikuar personat përgjegjës dhe për t’i vënë ata përpara drejtësisë.
Kompania sqaroi se incidenti lidhet me platformën ndërkombëtare Binance.com. Ndërkohë, Binance.US, e cila ofron shërbime tregtimi për përdoruesit në Shtetet e Bashkuara, deklaroi se platforma e saj nuk është prekur nga sulmi, shkruan abcnews.al.
Hetimet për identifikimin e autorëve dhe rikuperimin e aseteve vijojnë, ndërsa rasti ka rikthyer vëmendjen te rreziqet e sigurisë kibernetike në tregun e kriptomonedhave.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




