Sulmi i hakerëve, që goditi rreth njëqind supermarkete në Suedi, Belgjikë, Luksemburg, Estoni dhe Irlandë, nuk e kurseu as Italinë.

Të paktën katër pika të “Coop” – tri në Katania dhe një në Palermo – u prekën nga një sulm i dyshuar kibernetik, i cili shkaktoi rritjen e temperaturave në sistemet e ftohjes dhe detyroi punonjësit të hidhnin ushqimet që ishin ngrohur tej mase.
Lajmi u bë i ditur fillimisht për agjencinë “Ansa” nga Giuseppe Spadaro, drejtor i përgjithshëm i grupit “Radenza”, i cili menaxhon supermarketet “Coop”.
“Kemi verifikuar se bëhet fjalë për një sulm ndaj sistemit tonë të kontrollit në distancë për banakët e produkteve të ngrira. Pas një kontrolli të kujdesshëm, duket se nuk ka dëme të tjera, por sulmi ka ndodhur vërtet”, konfirmoi më vonë Danilo Radenza, drejtori ekzekutiv i “Coop Radenza”.
Sipas Spadaros, Policia Postare po punon për të zbuluar origjinën dhe përmasën e sulmeve, si dhe për të verifikuar nëse ka lidhje me ngjarjet e ndodhura në vende të tjera evropiane.
“Jemi duke llogaritur dëmet. Në disa raste e kemi zgjidhur problemin. Kemi kontaktuar tashmë Agjencinë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike dhe kemi aktivizuar protokollet për të kryer hetime të thelluara”, deklaroi drejtori i grupit “Radenza”.
Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike (ACN) njoftoi se ka marrë raportime për një incident që ka prekur një kompani toskane në sektorin e kateringut kolektiv, si dhe ka identifikuar një sulm ndaj një kompanie në rajonin e Emilia-Romagnës, e cila prodhon ushqime të ngrira.
ACN ka rekomanduar verifikimin urgjent nëse sistemet e kontrollit dhe asistencës në distancë, të përdorura nga zinxhirët e shpërndarjes së ushqimit, janë të ekspozuara në internet.
Gjithashtu, është kërkuar forcimi i qasjes në distancë përmes VPN-ve dhe autentifikimit me shumë faktorë, rishikimi i llogarive me privilegje të larta, si dhe përditësimi apo zëvendësimi i pajisjeve që nuk mbështeten më nga prodhuesit, raporton “Ansa”.
Për nesër është planifikuar një takim mes Agjencisë, federatave të sektorit dhe kompanive kryesore kombëtare të shitjes me pakicë në shkallë të gjerë.
Policia Postare po heton për lidhje të mundshme me incidentet e ndodhura në vende të tjera evropiane. /Telegrafi/




