Suksesi nuk vjen pa kosto, 16 orë punë dhe larg familjes – Jaka Gashi rrëfen sakrificat gjatë karrierës

Suksesi nuk vjen pa kosto, 16 orë punë dhe larg familjes – Jaka Gashi rrëfen sakrificat gjatë karrierës

Suksesi nuk vjen pa kosto, 16 orë punë dhe larg familjes – Jaka Gashi rrëfen sakrificat gjatë karrierës

Drejtoresha e organizatës Women for Women, Iliriana Jaka Gashi, ka rrëfyer për periudhat kur kishte punuar deri në 16 orë në ditë, sakrificat e kohës me familjen dhe ndikimin emocional që ka pasur angazhimi i saj në mbështetje të grave në Kosovë.

Sponsor 3M Express

E ftuar në episodin e nëntë të podcastit “Rrugëtimi”, Jaka Gashi ka folur për përvojën e saj 15-vjeçare në drejtimin e organizatës Women for Women, duke treguar se pas rezultateve të arritura qëndrojnë edhe periudha të vështira, përgjegjësi të mëdha dhe sakrifica personale.

Ajo ka theksuar se gjithmonë ka preferuar të punojë si pjesë e ekipit, por se përgjegjësia për vendimet dhe vazhdimësinë e organizatës i takon drejtuesit.

“Megjithatë, natyrisht, përgjegjësia i takon udhëheqësit”, është shprehur ajo.

Sipas Jaka Gashit, vitet e para të drejtimit të organizatës, kalimi nga organizatë ndërkombëtare në organizatë vendore dhe periudha e pandemisë kanë qenë ndër momentet më sfiduese të punës së saj.

Në këto periudha, ajo ka treguar se është dashur të angazhohej me orë të gjata pune për të siguruar vazhdimësinë e aktiviteteve dhe mbështetjen për gratë që kishin nevojë për shërbimet e organizatës.

“Kanë qenë orë të gjata pune”, ka thënë Jaka Gashi, duke rrëfyer se kishte pasur ditë kur kishte punuar deri në 16 orë për të gjetur mënyra që organizata të vazhdonte funksionimin.

Ajo ka shpjeguar se një nga shqetësimet kryesore gjatë këtyre periudhave ishte ruajtja e kontaktit me gratë në terren, veçanërisht në kohën kur pandemia kishte kufizuar aktivitetet e drejtpërdrejta.

Sipas saj, sfida nuk ishte vetëm mbajtja e organizatës aktive, por edhe sigurimi që gratë të mos mbeteshin pa mbështetjen e nevojshme.

Duke reflektuar për ndikimin e punës në jetën personale, Jaka Gashi ka pranuar se sakrifica më e madhe gjatë rrugëtimit të saj profesional ka qenë koha që mund ta kalonte me familjen dhe për aktivitetet personale.

“Kështu që ndoshta sakrifica më e madhe ka qenë koha”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka treguar se përkushtimi ndaj punës kishte ndikuar edhe në kohën që familja e saj kishte mundur ta kalonte së bashku.

Megjithatë, Jaka Gashi ka vlerësuar se angazhimi i saj ia kishte vlejtur, duke marrë parasysh rezultatet dhe ndikimin e punës së organizatës.

E pyetur nëse do ta merrte sërish të njëjtin vendim po t’i jepej mundësia të kthehej pas, ajo është përgjigjur pozitivisht.

“Po, do ta merrja këtë vendim”, ka thënë ajo, duke shtuar se disa gjëra ndoshta do t’i bënte ndryshe, por pasioni për punën do të mbetej i njëjtë.

Një tjetër pjesë e bisedës i është kushtuar ndikimit emocional të punës me gratë dhe historitë e vështira me të cilat përballen ato.

Jaka Gashi ka pranuar se përfshirja emocionale ka qenë një karakteristikë e rëndësishme e mënyrës së saj të punës, por njëkohësisht edhe burim lodhjeje.

E pyetur se çfarë këshille do t’ia jepte vetes më të re, përpara fillimit të këtij rrugëtimi, ajo është përgjigjur:“Ndoshta që në punë më dhanë ma pak emocione.”

Ajo ka shpjeguar se ndonjëherë do të kishte dashur të ishte më e përmbajtur emocionalisht në trajtimin e situatave të vështira.

“Ndoshta është pjesë e suksesit tim që nuk kam qenë e ftohtë”, është shprehur Jaka Gashi.

Sipas saj, përvoja e fituar ndër vite e ka bërë të kuptojë se disa situata mund të ishin zgjidhur edhe me më pak ngarkesë emocionale.

Megjithatë, ajo ka pranuar se vazhdon ta ketë të vështirë të ndryshojë këtë aspekt të karakterit të saj.

“Ende mundohem me e bë e nuk mundem me e bë, se ndoshta kam lindë ashtu”, ka deklaruar ajo. Gjatë intervistës, Jaka Gashi është pyetur edhe se çfarë nuk do të sakrifikonte kurrë për karrierën.

Në përgjigjen e saj, ajo ka vënë theksin te rëndësia e marrëdhënieve familjare dhe shoqërore, duke kujtuar se arritjet profesionale nuk duhet të jenë e vetmja masë e suksesit në jetë.

Për ta ilustruar këtë, ajo ka përmendur një studim afatgjatë të Harvardit, për të cilin ka thënë se pjesëmarrësit kishin vlerësuar marrëdhëniet familjare dhe shoqërore si pjesën më të rëndësishme të jetës së tyre.

“…atë çka nuk e kisha sakrifiku, është familja dhe shoqëria”, është shprehur ajo.

Jaka Gashi ka theksuar se, pavarësisht përgjegjësive dhe periudhave të lodhshme, vazhdon ta shohë punën e saj si një angazhim me vlerë, për shkak të ndryshimeve që ka sjellë në jetën e grave. /Telegrafi/

– YouTube www.youtube.com

Lexo edhe

Luana Vjollca rikthehet në Top Channel, zbulohet formati dhe kur nis

Luana Vjollca rikthehet në Top Channel, zbulohet formati dhe kur nis

Një nga divorcet më të shtrenjta në histori? Bashkëshortja e shefit të Nvidia-s mund të marrë gjysmën e pasurisë së tij

Një nga divorcet më të shtrenjta në histori? Bashkëshortja e shefit të Nvidia-s mund të marrë gjysmën e pasurisë së tij

Rasti i Arlinda Zekajt, javën e ardhshme nis intervistimi i dëshmitarëve në komisionin hetimor parlamentar

Rasti i Arlinda Zekajt, javën e ardhshme nis intervistimi i dëshmitarëve në komisionin hetimor parlamentar

Suksesi nuk vjen pa kosto, 16 orë punë dhe larg familjes – Jaka Gashi rrëfen sakrificat gjatë karrierës | Momenti