Në një spital në Taiz të Jemenit, një nënë 25-vjeçare, shtatzënë dhe me dy fëmijë, qëndronte e palëvizshme pasi një plumb i kishte mbetur në shtyllën kurrizore. Ajo kishte mbetur e bllokuar në shtëpinë e saj, pa ushqim dhe ujë, për dy ditë me radhë.

OKB-ja dhe agjencitë e ndihmës bëjnë të ditur se nevojat shëndetësore në qytetin e rrethuar të Taizit janë kritike, për shkak të mungesave të theksuara të ilaçeve, oksigjenit, dorezave kirurgjikale, anestetikëve dhe karburantit. Sipas Kryqit të Kuq, spitalet pranë vijave të frontit në Jemen po përballen me një fluks të madh pacientësh, duke trajtuar deri në 700 të plagosur nga lufta brenda një jave të vetme.
Amal al-Sabri tregoi se u plagos nga plumbi i një snajperi në fshatin al-Shaqb — i vendosur në shpatet e malit Sabir, nga ku shihet qyteti i Taizit — ndërsa përshkallëzimi i luftimeve midis qeverisë së mbështetur nga Arabia Saudite dhe lëvizjes Houthi (të lidhur me Iranin) po shkakton pasoja shkatërruese për civilët.
Mjekët në spitalin Al-Thawra në Taiz thanë se nuk mund të kryenin një skanim, pasi ajo ishte në muajin e katërt të shtatzënisë.
“Plumbi hyri nga anash dhe tani ka ngecur pranë shtyllës kurrizore. Ata (mjekët) nuk mundën ta hiqnin për shkak të fetusit,” tha Sabri për agjencinë Reuters. “Tani po heq dorë nga fetusi.”
Provinca e Taizit, e cila strehon rreth gjysmën e 281,000 personave të zhvendosur rishtazi në Jemen që nga fillimi i gushtit, ka mbetur kryesisht e izoluar që nga 3 tetori. Luftimet kanë penguar hyrjen e ndihmave humanitare, si dhe largimin e civilëve nga zona.
Sipas Kryqit të Kuq, në Taiz, Marib dhe përgjatë bregdetit të Detit të Kuq po regjistrohet numri më i lartë i viktimave; pacientët mbërrijnë në spitale me plagë nga armët e zjarrit dhe lëndime komplekse të shkaktuara nga shpërthimet.
“Sistemi shëndetësor në mbarë Jemenin ndodhet në prag të kolapsit,” deklaroi zëdhënësi i Kryqit të Kuq, Hachem Osseiran.
Ai theksoi se, edhe para luftimeve të fundit, më shumë se 40% e spitaleve dhe objekteve shëndetësore në vend ishin tashmë të mbyllura ose funksiononin vetëm pjesërisht, si pasojë e viteve të tëra të një konflikti të zgjatur. Ka gjithashtu shqetësime për shpërthimin e sëmundjeve, ndërsa uji po pakësohet dhe mbeturinat po grumbullohen në rrugë.




