Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë konfirmuar se Jakup Krasniqit i është lejuar vizita në Kosovë për arsye të rëndësishme humanitare.

Sipas njoftimit zyrtar, Trupi Gjykues ka udhëzuar Zyrën Administrative të Gjykatës që të organizojë vizitën e Krasniqit në Kosovë, nën masa sigurie dhe mbikëqyrjeje.
“Për shkak të arsyeve të rëndësishme humanitare, Trupi Gjykues ka udhëzuar Zyrën Administrative që të organizojë një vizitë nën mbikëqyrje në Kosovë për Jakup Krasniqin”, thuhet në njoftim.
Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se kjo është vizita e 15-të e këtij lloji e një personi të paraburgosur në Kosovë, e autorizuar nga gjyqtarët për arsye humanitare dhe e organizuar nga Gjykata.
Sipas njoftimit, vizitat e tilla lejohen në bazë të Rregullës 56 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave të Dhomave të Specializuara.
Kjo rregullore mbështetet në të drejtën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Rregullat Standarde Minimale të Kombeve të Bashkuara për Trajtimin e të Burgosurve.
Gjykata ka sqaruar se, kur një person i paraburgosur paraqet një kërkesë të tillë, gjyqtarët vlerësojnë të gjitha rrethanat në momentin e paraqitjes së saj, duke marrë vendim me urgjencën dhe ndjeshmërinë që kërkojnë situata të tilla.
Vendimi merret në përputhje me kuadrin ligjor të Dhomave të Specializuara dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Jakup Krasniqi ka mbërritur sot në shtëpinë e tij në Prishtinë, ku është pritur nga familjarët.
Siç ka raportuar KosovaPress, vizita e tij lidhet me gjendjen shëndetësore të bashkëshortes.
Kjo është hera e dytë që Krasniqi vjen në Kosovë që nga transferimi i tij në Hagë. Më parë, ai kishte ardhur në vendlindje pas vdekjes së vëllait. /Telegrafi/





