SINJALI 24 | Pretenduesi i 1 milion eurove në pranga, një 42-vjeçar kapet për fajde, Policia sekuestron drogë e armë

SINJALI 24 | Pretenduesi i 1 milion eurove në pranga, një 42-vjeçar kapet për fajde, Policia sekuestron drogë e armë

SINJALI 24 | Pretenduesi i 1 milion eurove në pranga, një 42-vjeçar kapet për fajde, Policia sekuestron drogë e armë

Fajde, substanca narkotike, armë pa autorizim, dhunë ndaj një të miture dhe një rast që lidhet me një milion euro të sekuestruara në kufi. Këto janë disa nga ngjarjet që kanë qenë në fokus të Policisë së Kosovës, me operacione e arrestime në disa qytete të vendit.

Sponsor 3M Express

Nga Peja në Prizren, Podujevë e Klinë, deri në veri të Mitrovicës, hetimet kanë rezultuar me sekuestrimin e armëve, municionit dhe substancave të dyshuara narkotike, ndërsa në raste të tjera të dyshuarit janë ndaluar ose janë liruar pas intervistimit.

Pejë – Kapet në flagrancë duke marrë para nga fajdeja, në shtëpi i gjenden katër armë

Luan Kastrati, 42-vjeçar, është arrestuar më 22 tetor, pasi dyshohet se kishte detyruar një person t’i paguante shuma të ndryshme parash në emër të interesit të fajdesë. Sipas informacioneve të Sinjalit, ai u kap në flagrancë teksa po pranonte para nga viktima.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, Policia sekuestroi dy pistoleta, dy pushkë të gjata dhe municion të kalibrave të ndryshëm. Ndaj tij është iniciuar rast për fajde, detyrim dhe armëmbajtje të paautorizuar, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

Prizren – 42-vjeçarit i gjenden mbi 700 gramë marihuanë dhe pajisje për paketim

Shkodran Badalli, 42-vjeçar, është arrestuar më 22 tetor në rrugën “Ulqini”, në kuadër të hetimeve për rastin e koduar “Kuzhina”.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi 718.18 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, një peshore elektronike, aparat për vakumimin e qeseve, grinder, telefon dhe sende të tjera.

Vlera e substancës në tregun ilegal, sipas të dhënave policore, vlerësohet rreth 3 mijë e 500 euro. Badallit i është caktuar ndalimi prej 48 orësh.

Zveçan – Dyshohet se sulmoi të dashurën 17-vjeçare, 20-vjeçari lirohet nga ndalimi

Luka Milovic, i lindur në vitin 2006, dyshohet se ka sulmuar fizikisht të dashurën e tij 17-vjeçare në fshatin Zhitkovc të Zveçanit.

Rasti është raportuar më 19 tetor, ndërsa pas hetimeve i dyshuari ishte ndaluar deri në 48 orë. Më 22 tetor, me vendim të prokurorit, ndalimi i tij është ndërprerë dhe ai është liruar. Rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor”.

Podujevë – Kapet me marihuanë, kokainë, 18 vape me THC dhe pistoletë

Elhami Çitaku është arrestuar më 22 tetor, pasi Policia zbuloi substanca të dyshuara narkotike dhe armë në një objekt të pashfrytëzuar, në afërsi të udhëkryqit të rrugëve “Bahri Fazliu” dhe “Ilir Konushevci”.

Gjatë kontrollit u sekuestruan 428 gramë marihuanë, 0.3 gramë kokainë, 18 cigare elektronike me substancë të dyshuar THC, cigare të mbushura me substancë narkotike dhe një peshore digjitale.

U gjet edhe një pistoletë e tipit “Blow”, me karikator dhe dy fishekë. Çitakut i është caktuar ndalimi prej 48 orësh.

Klinë – Fotografia me kallashnikov në Snapchat çon Policinë te 52-vjeçari

Arben Fazlija, ka dorëzuar vullnetarisht një armë të gjatë të tipit AK-47, pasi hetuesit shkuan në shtëpinë e tij në fshatin Poterq.

Hetimet nisën pas një rasti të kanosjes, ku dy të mitur dyshohet se kishin kërcënuar një nxënës dhe njëri prej tyre kishte publikuar në Snapchat një fotografi me armë.

Të miturit kanë treguar se kujt i përkiste arma, duke i orientuar hetuesit drejt Fazlijës. Pas intervistimit, me udhëzim të prokurorit, ai është liruar dhe procedura do të vazhdojë në gjendje të lirë.

Merdarë – Një milion euro të fshehura në Mercedes, 33-vjeçari pretendon se janë të tijat

Fatlind Akifi, 33-vjeçar, është ndaluar për 48 orë pasi është paraqitur më 23 tetor në Prokurorinë Speciale dhe ka deklaruar se një milion euro të sekuestruara në Merdarë i përkasin atij.

Paratë ishin zbuluar më 24 shkurt 2026, të fshehura në një hapësirë të modifikuar të një Mercedes Sprinteri me targa të Shqipërisë, ku ndodheshin tre persona.

Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, Akifi nuk ka arritur të dëshmojë prejardhjen e shumës dhe as lidhjen e tij me personat që e transportonin. Rasti po hetohet për shpëlarje parash dhe pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar.

Mitrovicë e Veriut – Në banesën e 28-vjeçarit gjenden jelek antiplumb, municion dhe veshje

Milan Vicentijecic, është intervistuar nga Policia pas kontrollit të banesës së tij në rrugën “Anke Spajiq”, më 22 tetor.

Gjatë bastisjes u gjetën një jelek antiplumb me pllaka mbrojtëse, gjashtë fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe një sasi veshjesh, përfshirë 25 palë xhinse, 24 bluza e shtatë xhemperë.

Veshjet pritet t’i dorëzohen Doganës për procedura të mëtejshme. Me udhëzim të prokurorit, 28-vjeçari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti është iniciuar për armëmbajtje të paautorizuar.

Gjakovë – Kërkohej për vuajtjen e dënimit, 24-vjeçari dërgohet në Dubravë

Edon Berisha, 24-vjeçar nga fshati Rogovë i Gjakovës, është arrestuar më 23 tetor, pasi ndaj tij ishte aktive një urdhëresë gjyqësore për vuajtjen e dënimit me burg.

Pas arrestimit, ai është dërguar në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ku do ta vuajë dënimin prej 120 ditësh.

Në informacionet e siguruara nga Sinjali nuk është specifikuar vepra penale për të cilën është dënuar.

SINJALI 24 – Ngjarjet kryesore, nga të gjitha anët e Kosovës.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali

Lexo edhe

Shiroka-Pula u bën thirrje shqiptarëve të Luginës të votojnë për koalicionin shqiptar

Shiroka-Pula u bën thirrje shqiptarëve të Luginës të votojnë për koalicionin shqiptar

Jorginho nën dyshimin për doping, rrezikon pezullim dyvjeçar nga futbolli

Jorginho nën dyshimin për doping, rrezikon pezullim dyvjeçar nga futbolli

Ukrainasit godasin me dronë një fabrikë në Rusi

Ukrainasit godasin me dronë një fabrikë në Rusi