Pesë gra u vranë në Ist-End [East End] të Londrës në vitin 1888. Vrasësi nuk u identifikua kurrë. Një shekull më vonë, BBC pyeti nëse për këtë ishin fajtorë rrëfimet e gazetave dhe thashethemet.

Nga: Fiona Macdonald / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Më 9 nëntor 1888, u vra viktima e pestë dhe e fundit e Xhek Rrjepësit [Jack the Ripper] në lindje të Londrës. Në atë kohë, në Teatrin “Lyceum” të Londrës po jepej një produksion amerikan i Rastit të çuditshëm të dr. Xhekillit dhe z. Haidit [The Strange Case of Dr Jekyll and Mr Hyde] – dhe menaxheri i teatrit ishte Bram Stoker i cili po bëhej gati të fillonte të shkruante Drakulën [Dracula]. Një vit më parë, në dhjetor 1897, Sherlok Holmsi [Sherlock Holmes] i Arthur Conan Doyleit kishte bërë paraqitjen e tij të parë. Pikërisht në kontekstin e kësaj imagjinate të ethshme kolektive, një seri vrasjesh të egra do të kalonte nga fakti historik në sferën e legjendës.
Një shekull më vonë, në vitin 1988, BBC iu rikthye dosjeve origjinale të policisë dhe të Ministrisë së Brendshme – dhe pyeti nëse legjenda e kishte mjegulluar identitetin e vërtetë të vrasësit. Vrasjet vazhdojnë të magjepsin, pjesërisht sepse Xhek Rrjepësi nuk u identifikua kurrë dhe krimet mbeten të pazgjidhura – por, edhe për shkak të krijimit të mitit nga shtypi tabloid i epokës viktoriane, dhe në veçanti nga një redaktor që zhvillonte fushata.
Në një recension të novelës gotike të vitit 1886 Dr. Xhekilli dhe z. Haidi në një gazetë londineze, Pall Mall Gazette, një kritik shkroi: “Gërvishteni Xhon Bullin dhe do të gjeni një britanik të lashtë që kënaqet me gjak, që i pëlqen të zhytet thellë në vrasje dhe që përpin detajet e një varjeje.” Gazette e lavdëroi gjithashtu versionin skenik të librit, i cili u hap në gusht 1888, duke veçuar skenat ku Haidi u hidhet grave.
“Ishte pothuajse profetike,” i tha BBC-së në vitin 1988 Christopher Frayling, profesor i historisë kulturore në Kolegjin Mbretëror të Arteve [Royal College of Art]. “Brenda tri javësh, Gazette shkruante për një z. Haid që përgjonte Ist-Endin. Xhek Rrjepësi i Uajtçepelit [Whitechapel] dhe Dr. Xhekilli dhe z. Haidi, Xheku-me-thembra-suste [Spring-heeled Jack] dhe të gjithë tregtarët e frikës që popullonin gazetat e lira të sensacioneve [Penny Dreadfuls] dhe melodramat viktoriane – ishin ndërthurur në mënyrë të pazgjidhshme.”
Aktori Richard Mansfield, i cili e kishte sjellë shfaqjen nga ShBA-ja në Londër, ishte aq bindës në interpretimin e dy roleve kryesore, saqë një spektator i shqetësuar i shkroi policisë duke sugjeruar se aktori mund të ishte Xhek Rrjepësi. Mansfield u përpoq ta rifitonte mbështetjen e publikut duke organizuar shfaqje bamirësie me komedi, ndërsa një gazetar shkroi: “Në Londër tani nuk ka fare dëshirë për tmerre në skenë. Ka mjaftueshëm jashtë saj për të na bërë të rrëqethemi.”
Në tetor, Gazette botoi një letër ku thuhej se shfaqja kishte ndikuar te Xhek Rrjepësi. Megjithatë, mënyra se si vetë gazeta i trajtoi vrasjet ndoshta ishte pjesërisht përgjegjëse për atë që ndodhi më pas. Fraylingu argumentonte se, në vend që të kishte dalë nga lagjet e varfra të lindjes së Londrës, historia e Rrjepësit ishte zhvilluar në klubet e zotërinjve të Londrës perëndimore, ndërtuar nga shkruesit e gazetave mbi material të pakët.
Dhe, ishte vetë Gazette pjesërisht përgjegjëse për famën e keqe të Rrjepësit. Redaktori i saj, WT Stead, po eksperimentonte me një stil të ri sensacionalist i cili më vonë do të njihej si gazetari tabloide. Liberal dhe me ide të forta për reforma, ai kishte krijuar gjithashtu një armiqësi ndaj komisionerit të Policisë Metropolitane, Charles Warren, pas asaj që ai e konsideronte një dënim të padrejtë dhe përdorim të tepruar të forcës kundër protestuesve një vit më parë.
Aristokrat, mjek apo emigrant
Kur ndodhi vrasja e parë, më 31 gusht 1888, gazetat londineze – të udhëhequra nga Gazette – filluan ta lidhnin historinë me një varg çështjesh morale dhe shoqërore të kohës. Më 10 shtator, Gazette sugjeroi se vrasësi mund të ishte një aristokrat dekadent. “Ka një numër arsyesh pse komentuesit [në atë kohë] … e përfytyronin Xhek Rrjepësin si xhentëlmen,” i tha BBC-së prof. Judith Walkowitz, autore e librit Qyteti i kënaqësisë së tmerrshme: Rrëfime për rrezikun seksual në Londrën e vonë viktoriane [City of Dreadful Delight: Narratives of Sexual Danger in Late-Victorian London].
“Për të paktën 20 vjet kishte pasur agjitacion rreth çështjes së prostitucionit, fillimisht nga reformatorë moralë të klasës së mesme dhe agjitatoreve feministe … dhe më pas kjo u intensifikua dhe u shtjellua në një ekspoze gazetareske të Steadit për prostitucionin e fëmijëve, në të cilën Steadi dokumentonte se si vajzat e varfra të popullit binin në grackë … për kënaqësinë seksuale të zotërinjve të klasës së lartë.”
Secila prej viktimave të Rrjepësit ishte detyruar të merrej me prostitucion për shkak të varfërisë. Redaktori – i cili do të vdiste në vitin 1912, në bordin e Titanikut – i përdori vrasjet si një mundësi për të nxjerrë në pah çështjet të cilat kërkonin reformë dhe për të bërë fushatë kundër veseve në shtresat e larta. Ato i dhanë gjithashtu mundësi ta sulmonte Warrenin sa herë që mundej, për shkak se ai nuk po bënte mjaftueshëm për ta gjetur vrasësin.
Shtypi filloi të spekulonte se, për shkak të mënyrës se si ishte përdorur thika mbi viktimat, vrasësi mund të ishte mjek – gjë që prekte frikën e asaj kohe ndaj kirurgëve. Ndërkaq, mediat konservatore drejtonin gishtin te lagjet e varfra të Ist-Endit, të banuara prej komuniteteve të emigrantëve.
Ky publicitet dhe sensacionalizëm i fuqishëm pati efekt të menjëhershëm, tha Frayling. “Vrasjet u kthyen në letërsi në po atë vjeshtë, në një lloj drame morale që vazhdon të ketë jehonë.”
Ai zbuloi se kjo prirje kishte depërtuar madje edhe në hetimin policor, siç tregohet nga dosjet origjinale të ruajtura nga Ministria e Brendshme. Në pjesën më të madhe, ato përmbajnë “qindra letra nga njerëz të çuditshëm, shumë prej tyre të nënshkruara me emrin [Xhek Rrjepësi] – i cili u përhap shumë shpejt, i shkruar në mënyra të ndryshme.”
Por, ekziston një memorandum i një oficeri të lartë policie, i shkruar në vitin 1894, pasi çështja ishte mbyllur, ku përmenden tre të dyshuar. Megjithatë, edhe ky duket se ishte ndikuar nga zhurma e madhe mediatike. “Është provë e fortë për ekzistencën e tri miteve të qëndrueshme, dhe jo për identitetin e Xhek Rrjepësit,” argumentonte Frayling.
I dyshuari i parë i përmendur nga kreu i Skotland-Jardit [Scotland Yard], Melville Macnaghten, ishte Montague Druitt, një avokat për të cilin detektivi mendonte se ishte mjek. Trupi i tij u gjet duke pluskuar në lumin e Temzës në dhjetor 1888, pak pas vrasjes së fundit. I dyti ishte berberi Aaron Kosminski, një emigrant hebre polak në Uajtçepel, i cili vdiq në një azil psikiatrik në vitin 1899. Dhe, i treti ishte Michael Ostrog, një mjek rus dhe ish-i dënuar.
“Këta janë të vetmit tre të dyshuar që përmenden seriozisht në të gjithë dosjen e policisë dhe nuk ka ndonjë provë policore që ia vlen të përmendet në mbështetje të tyre,” tha Frayling. “Shihni se si përputhen me gjithë ata aristokratë, të huaj dhe mjekë që shtypi i përmendte në vitin 1888 si pjesë të fushatave të veta … A është ky vërtet përfundimi i peshuar i një ndjekjeje për kapjen e vrasësit, apo janë thashethemet e klubeve? Dhe, a ishte policia aq e përfshirë në mitologjinë e vitit 1888 saqë edhe ajo po kërkonte personazhe të dala nga gazetat e lira të sensacioneve, melodramat viktoriane dhe fushatat e shtypit?”
Me pak fjalë, argumentonte Frayling, kushdo që përpiqej të zbulonte identitetin e Xhek Rrjepësit mund të kishte kërkuar në drejtimin e gabuar. Dhe, e njëjta gjë ka vlejtur që atëherë edhe për studiuesit e Xhek Rrjepësit. “Ne duam të dëshmojnë se Rrjepësi ishte aristokrat dekadent një artist bohem, ose homoseksual, ose emigrant, ose i çmendur,” tha ai. Në të vërtetë, vrasësi mund të mos i përshtatej asnjërës prej këtyre kategorive të rregullta, sensacionaliste. Kushdo që i vrau ato pesë gra, ai nuk ishte “personazhi i shpikur nga shtypi, policia dhe shoqëria viktoriane.” /Telegrafi/





