Ganimet Shala, shqiptare e angazhuar në jetën publike në Slloveni, është emëruar raportuese për forcimin e zërave të fëmijëve në Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës. Krahas këtij angazhimi në nivel evropian, ajo është pjesë e garës për zgjedhjet lokale në Lubjanë, ku renditet e dyta në listën e Socialdemokratëve (SD), shkruan Telegrafi.

Një tjetër shqiptare po shënon një hap të rëndësishëm në përfaqësimin institucional në Evropë. Ganimet Shala është emëruar raportuese për forcimin e zërave të fëmijëve në Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, me seli në Strasburg të Francës.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Shala përmes një postimi në Facebook, ku ka shprehur kënaqësinë për emërimin e ri, të cilin e cilëson një nder dhe një përgjegjësi të madhe.
Shala ka njoftuar se emërimi është bërë më 27 tetor 2026, gjatë sesionit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës.
“Ky emërim nënkupton një njohje të madhe dhe besim të treguar ndaj meje, por njëkohësisht sjell një përgjegjësi të rëndësishme dhe një mundësi për të kontribuar në nivel evropian në forcimin e pjesëmarrjes së fëmijëve në vendime që prekin jetën dhe të ardhmen e tyre”, ka shkruar Shala.
Ajo ka theksuar gjithashtu rëndësinë e dëgjimit dhe përfshirjes së fëmijëve në proceset vendimmarrëse, duke nënvizuar se ata nuk janë vetëm e ardhmja, por edhe pjesë e rëndësishme e së tashmes.
“Fëmijët nuk janë vetëm e ardhmja jonë, por edhe një pjesë e rëndësishme e së tashmes sonë. Prandaj është e drejtë që ne jo vetëm të dëgjojmë zërin e tyre, por edhe ta ndjekim atë”, ka theksuar ajo.
Në garë edhe për Këshillin Bashkiak të Lubjanës
Përveç angazhimit të ri në kuadër të Këshillit të Evropës, Ganimet Shala është e përfshirë edhe në jetën politike në Slloveni.
Ajo kandidon në zgjedhjet lokale për Këshillin Bashkiak të Lubjanës, në listën e Partisë Socialdemokrate (SD), ku renditet në pozitën e dytë.
Dy angazhimet e saj, në nivelin institucional evropian dhe në politikën lokale sllovene, dëshmojnë për përfshirjen e saj në çështje me rëndësi për komunitetin dhe shoqërinë.
Për komunitetin shqiptar në Slloveni dhe diasporën shqiptare në përgjithësi, emërimi i Ganimet Shalës në një rol brenda Këshillit të Evropës përbën një zhvillim me interes, duke sjellë një tjetër emër shqiptar në hapësirën institucionale evropiane./Telegrafi/




