Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka takuar homologun e saj shqiptar, Bajram Begajn, në kuadër të takimit të liderëve të Procesit Brdo–Brijuni, që po mbahet në Ohër.

Gjatë takimit, Shiroka-Pula ka theksuar lidhjet e veçanta ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, të cilat, sipas saj, janë të rrënjosura në histori, gjuhë, kulturë dhe ndjenjën e përkatësisë së përbashkët.
Ajo ka nënvizuar se nuk ka asgjë që i ndan dy shtetet, të cilat i cilësoi si një zemër, një mendje dhe një komb, të bashkuara nga e njëjta frymë në të dyja anët e kufirit.
Presidentja ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj Kosovës, duke theksuar se forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve është përgjegjësi e përbashkët dhe duhet të udhëhiqet nga vullneti për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët.
Në takim është diskutuar edhe për orientimin strategjik të të dyja vendeve. Shiroka-Pula ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe integrimi në Bashkimin Evropian mbeten ndër prioritetet kryesore të vendit.
Në këtë drejtim, ajo ka vlerësuar përvojën e Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe përparimin e saj në procesin e integrimit evropian, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit më të ngushtë dhe shkëmbimit të përvojave.
Sipas njoftimit, presidentja ka rikujtuar se Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar numrin më të madh të marrëveshjeve dhe memorandumeve të bashkëpunimit mes tyre, një pjesë e konsiderueshme e të cilave tashmë janë duke u zbatuar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





