Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka takuar të mërkurën Grupin Punues për hartimin dhe koordinimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë, në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në takim morën pjesë kryesuesi i Grupit Punues, Glauk Konjufca, dhe anëtarët e tjerë, të cilët e njoftuan presidenten për ecurinë e deritashme të punës në hartimin e strategjisë.
“Në këtë takim, Kryesuesi i Grupit Punues për hartimin e strategjisë për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Apel, Glauk Konjufca dhe anëtarët e Grupit e informuan Presidenten Shiroka Pula për ecurinë e deritashme të punës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës.
Gjatë takimit u diskutua për koordinimin ndërinstitucional, si dhe për mbështetjen juridike, institucionale dhe diplomatike në procesin e Apelit.
Sipas njoftimit, Shiroka Pula shprehu mbështetjen e saj për punën e Grupit, duke theksuar rëndësinë e bashkërendimit të veprimeve ndërmjet institucioneve dhe në planin diplomatik.
Ajo gjithashtu vuri në pah rëndësinë e dokumentimit, mbrojtjes dhe afirmimit të së vërtetës historike për luftën çlirimtare të Kosovës dhe rolin e UÇK-së.
Grupi Punues është krijuar me qëllim të koordinimit të veprimeve të institucioneve të Kosovës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së gjatë procedurave të Apelit në Hagë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





