Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë urdhëruar largimin e një pjese të personelit diplomatik dhe familjarëve të tyre nga Arabia Saudite, mes shqetësimeve për përshkallëzimin e situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme.

Shqetësimet janë shtuar pas paralajmërimit të ambasadës amerikane në Riad për sulme të mundshme nga rebelët Huthi, të cilët kanë goditur më parë aeroporte dhe infrastrukturë kritike në rajon. Departamenti Amerikan i Shtetit paralajmëroi se armiqësitë mund të përshkallëzohen me shpejtësi, duke mos përjashtuar masa të tjera për mbrojtjen e personelit diplomatik.
Përshkallëzimi lidhet me konfliktin në Jemen, ku forcat qeveritare, të mbështetura nga Arabia Saudite, kanë ndërmarrë ofensiva kundër zonave të kontrolluara nga Huthit, të cilët mbështeten nga Irani. Në përgjigje, grupi ka lëshuar raketa dhe dronë drejt objektivave në territorin saudit, përfshirë aeroporte dhe objekte energjetike, shkruan abcnews.al.
Ndërkohë, tensionet janë shtuar edhe në Gjirin Persik. Garda Revolucionare Islamike e Iranit njoftoi se kishte goditur disa anije të përfshira, sipas saj, në trafik të paligjshëm nafte dhe raportoi incidente të tjera me mina pranë Ngushticës së Hormuzit. Teherani paralajmëroi gjithashtu për një përgjigje më të gjerë ndaj bazave amerikane në rajon në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




