Zyrtarët amerikanë kanë akuzuar Rusinë se ka kryer manovra të rrezikshme pranë një sateliti komercial që ofron imazhe dhe informacione të inteligjencës për Ukrainën dhe vende të tjera, duke e cilësuar veprimin si “qëllimisht të pamatur”.

Akuzat u ngritën gjatë një debati në Kombet e Bashkuara më 21 tetor, ndërsa Moska i hodhi poshtë pretendimet amerikane, duke i cilësuar si “absurde” dhe duke e akuzuar Uashingtonin për ambicie agresive ushtarake në hapësirë.
Sipas raportimeve, një satelit ushtarak rus, i njohur si Kosmos-2612, iu afrua në mënyrë të pazakontë satelitit ICEYE-X36, i cili është i regjistruar në Shtetet e Bashkuara dhe operohet nga kompania finlandeze ICEYE. Sipas disa vlerësimeve, distanca mes tyre mund të ketë qenë rreth 200 metra.
Kompania LeoLabs, e specializuar në monitorimin dhe analizimin e aktivitetit në hapësirë, tha për Radion Evropa e Lirë se kjo nuk ishte një afrim rutinë, por një manovër që përputhet me operacione të sofistikuara të afrimit mes satelitëve.
ICEYE-X36 përdor teknologjinë e radarit për të siguruar imazhe të detajuara të sipërfaqes së Tokës, edhe në kushte me re. Në janar, kompania finlandeze nënshkroi një kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes së Ukrainës për ofrimin e informacioneve të inteligjencës.
Brian Hardesty, këshilltar i delegacionit amerikan në Konferencën për Çarmatimin, deklaroi në një takim të Komitetit të Parë të OKB-së në Nju Jork se sateliti rus kishte shfaqur sjellje kërcënuese duke manovruar pranë një sateliti komercial.
Sipas tij, veprimi mund të jetë në përputhje me një operacion që përfshin përdorimin e armëve në orbitë, ndërsa vendimi për të ndërmarrë manovra të tilla ishte “qëllimisht i pamatur”.
Përfaqësuesi rus nuk iu përgjigj drejtpërdrejt akuzave, por u bëri thirrje shteteve anëtare të OKB-së që të reagojnë ndaj asaj që e cilësoi si ambicie agresive ushtarake të SHBA-së në hapësirë.
Debati vjen në një kohë kur po shtohen shqetësimet për militarizimin e hapësirës. Muajin e kaluar, sekretari i Forcave Ajrore amerikane, Troy Meink, deklaroi se SHBA-ja ka vendosur në orbitë kapacitete të kontrollit të hapësirës, të cilat synojnë të mbrojnë forcat amerikane nga veprimet armiqësore.
Deklarata shkaktoi reagime mes ekspertëve, ndërsa ish-zyrtarja e lartë amerikane për kontrollin e armëve, Mallory Stewart, theksoi se gara e armatimit në hapësirë nuk është një zhvillim i ri, por një proces që ka vazhduar prej vitesh.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




