Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Rijad Shaqiri, në emisionin “IMPAKT” ka kritikuar politikat e Qeverisë për shpërndarjen e investimeve kapitale, duke pretenduar se zonat shqiptare po trajtohen në mënyrë të padrejtë dhe se pjesa më e madhe e investimeve po orientohen drejt pjesëve lindore të vendit.

Ai ka theksuar se shqiptarët kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në themelimin dhe funksionimin e shtetit, ndërsa ka kërkuar që mjetet buxhetore të ndahen në mënyrë proporcionale, në bazë të nevojave dhe projekteve të komunave.
“Maqedonia ka problem me Bullgarinë, ka problem me Serbinë, kishte problem me Greqinë, por ka problem të brendshëm me shqiptarët. Ndërsa, në nivelin bilateral ose multilateral, shteti shqiptarët i ka aleatë. Dhe kjo është për të ardhur keq, sepse shqiptarët në Maqedoni nuk e rrezikojnë shtetin. Shqiptarët janë popull i cili thjesht ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në themelimin e këtij shteti.
Nëse flasim edhe në aspektin financiar, kompanitë shqiptare janë ato të cilat kontribuojnë me të hyra buxhetore ndoshta më shumë se kompanitë e tjera, por kur vjen momenti për kthimin e mjeteve financiare në formë të investimeve në zonat shqiptare, shteti është i padrejtë në këtë drejtim.
Sepse, komplet infrastrukturën apo investimet kapitale i orienton në pjesët lindore dhe kjo është për të ardhur keq.
Këtu duhet të kenë parasysh edhe shteti, edhe kryeministri, por edhe Qeveria se ndarja e mjeteve buxhetore, ndarja e mjeteve financiare për investimet kapitale, duhet të bëhet në mënyrë proporcionale, konform nevojave dhe kërkesave të vetëqeverisjes lokale, të cilat kanë aplikuar me projekte të caktuara.
Thjesht, nuk duhet të ketë politika diferencuese të investimeve dhe kjo po vazhdon të ndodhë edhe në këtë kohë. Është për të ardhur keq që jemi në shekullin XXI”, deklaroi deputeti i ASH-së, Rijad Shaqiri.





