Serbia mund të kërkojë ekstradimin e Radoiçiqit nga Rusia, ekziston marrëveshja mes dy vendeve

Serbia mund të kërkojë ekstradimin e Radoiçiqit nga Rusia, ekziston marrëveshja mes dy vendeve

Serbia mund të kërkojë ekstradimin e Radoiçiqit nga Rusia, ekziston marrëveshja mes dy vendeve

Gjykata në Beograd ka caktuar një muaj paraburgim për Milan Radoiçiqin dhe ka lëshuar urdhërarrest ndaj tij, pasi ai nuk është paraqitur më 15 nëntor në stacionin policor, ku ishte i obliguar të lajmërohej dy herë në muaj. Sipas informacioneve jozyrtare, ish-nënkryetari i Listës Serbe ka ikur në Moskë.

Sponsor 3M Express

Gjykata e Lartë në Beograd ka konfirmuar për portalin serb Nova.rs se masa e paraburgimit është caktuar për shkak të rrethanave që tregojnë se Radoiçiq po fshihet, përkatësisht se është arratisur.

“Paraburgimi, sipas këtij vendimi, mund të zgjasë 30 ditë nga momenti i arrestimit. Me të njëjtin vendim është lëshuar edhe urdhërarresti ndaj tij, të cilin do ta zbatojë Departamenti për Kërkime i Drejtorisë së Policisë Kriminale”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.

Siç raportoi fillimisht BIRN, Radoiçiq nuk është paraqitur më 15 nëntor në stacionin policor në Savski Venac, ku, sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, ishte i obliguar të lajmërohej çdo datë 1 dhe 15 të muajit. Herën e fundit këtë obligim e kishte përmbushur më 1 nëntor.

Ndaj tij ishte në fuqi edhe masa e ndalimit të largimit nga vendbanimi. Kjo nënkuptonte se pa miratimin e gjykatës nuk mund të largohej nga Serbia dhe as të udhëtonte drejt Kosovës. Atij gjithashtu i ishte konfiskuar pasaporta. Masa ishte vazhduar për herë të fundit më 30 shtator të këtij viti.

Ish-inspektori i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), Milan Zvezdanoviq, ka deklaruar për N1 se, sipas informacioneve jozyrtare që ka nga BIA, Radoiçiq është larguar nga Serbia më 12 nëntor dhe ka udhëtuar drejt Moskës.

I pyetur nëse kishte marrë leje për t’u larguar nga vendi, Zvezdanoviq është përgjigjur: “Atij nuk i nevojitej leja”.

Nëse konfirmohet se Radoiçiq ndodhet në Rusi, Serbia mund të kërkojë ekstradimin e tij

Profesori i Fakultetit Juridik në Novi Sad, Branislav Ristivojeviq, ka thënë për Nova.rs se mes Serbisë dhe Rusisë ekziston një marrëveshje për ndihmë juridike e vitit 1962, e cila parasheh edhe ekstradimin.

“Sa di unë, kjo marrëveshje nuk është anuluar nga asnjëra palë”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, profesori ka theksuar se një kërkesë e tillë nuk do të thotë se ekstradimi do të pranohej automatikisht. Sipas tij, autoritetet ruse do të shqyrtonin nëse Radoiçiq është shtetas rus, nëse vepra penale është parashkruar dhe nëse ai ka fituar azil në Rusi. Po ashtu, ekzistojnë edhe kufizime të vendosura nga Moska pas fillimit të luftës në Ukrainë.

Radoiçiq mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë

Në sulmin e armatosur në Banjskë, më 24 shtator 2023, u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa mbetën të vrarë edhe tre pjesëtarë të grupit të armatosur serb.

Disa ditë pas sulmit, Radoiçiq, përmes avokatit të tij, mori përgjegjësinë për organizimin dhe pjesëmarrjen në sulm. Pas kësaj, ai dha dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe.

Në Serbi, ndaj tij rëndojnë akuzat për bashkim për kryerjen e veprave penale, prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve dhe lëndëve shpërthyese, si dhe vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.

Burimi: Insajderi

Lexo edhe

Spitali i Prizrenit: Viktima e të shtënave në Suharekë mbërriti pa shenja jete me disa plagë nga arma e zjarrit

Spitali i Prizrenit: Viktima e të shtënave në Suharekë mbërriti pa shenja jete me disa plagë nga arma e zjarrit

Nga Kosova drejt tregjeve globale: Mentor Pllana prezanton vizionin e Pllana Ventures në Javën Globale të Ndërmarrësisë

Nga Kosova drejt tregjeve globale: Mentor Pllana prezanton vizionin e Pllana Ventures në Javën Globale të Ndërmarrësisë

Vrasja në Suharekë, flet Kryeprokurori i Prizrenit

Vrasja në Suharekë, flet Kryeprokurori i Prizrenit