Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, mund të përballet së shpejti me një procedurë shkarkimi përmes Kongresit, pasi demokratët po përgatiten të shfrytëzojnë shumicën e fituar në të dyja dhomat e tij pas zgjedhjeve të mesmandatit.

Demokratët siguruan kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit në zgjedhjet e kësaj jave, duke fituar edhe në disa shtete që për dekada kanë votuar për republikanët, transmeton Telegrafi.
Hakeem Jeffries, i cili pritet të marrë postin e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve në janar, deklaroi se demokratët do ta mbështesin një nismë për shkarkimin e Hegsethit. Kjo procedurë, e njohur si impeachment, mund të çojë në largimin e një zyrtari të lartë nga detyra.
Në një intervistë për ABC News, Jeffries tha se është plotësisht në favor të kësaj nisme, duke e cilësuar Hegsethin si një zyrtar që ka “abuzuar me pushtetin” dhe ka “minuar sigurinë kombëtare” të Shteteve të Bashkuara.
Megjithatë, për shkarkimin përfundimtar të Hegsethit do të nevojiteshin 67 vota në Senatin prej 100 anëtarësh. Demokratët aktualisht kanë 54 vende, çka do të thotë se do t’u duhej edhe mbështetja e senatorëve të tjerë.
Jeffries kishte ngritur më herët pikëpyetje për vazhdimin e qëndrimit të Hegsethit në këtë detyrë. Në një postim në rrjetet sociale të enjten, ai kishte shkruar: “Pse Pete Hegseth është ende në detyrë?”
Nisma e mundshme pritet të jetë një nga çështjet kryesore politike në Kongres, ndërsa demokratët përgatiten të marrin drejtimin e të dyja dhomave në janar. /Telegrafi/




