Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka paralajmëruar se përballja me kërcënimet hibride të Rusisë kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërmjet vendeve anëtare të Aleancës.

Gjatë një diskutimi në Berlin, Rutte u pyet nga përfaqësuesi britanik, Lord Beamish, se si mund të koordinohen aleatët e NATO-s për t’iu kundërvënë këtyre kërcënimeve.
“Nuk ka një zgjidhje magjike. Ekziston një sërë masash që duhet t’i ndërmarrim së bashku si NATO”, deklaroi Rutte.
Ai theksoi se një nga elementet më të rëndësishme është aftësia e shteteve për të identifikuar dhe përcaktuar përgjegjësinë për sulmet hibride, duke përmendur si shembull Estoninë.
“Një nga gjërat më të rëndësishme është që një vend të jetë në gjendje t’ia atribuojë një sulm hibrid një aktori të caktuar, siç bëri Estonia javën e kaluar”, tha ai.
Sipas Ruttes, Estonia ka vendosur të mbyllë kufirin me Rusinë në përgjigje të kërcënimit të identifikuar.
Kreu i NATO-s shtoi se, përveç veprimeve të përbashkëta të Aleancës, secili shtet duhet të ndërmarrë masa në nivel kombëtar për të forcuar qëndrueshmërinë e shoqërisë ndaj kërcënimeve të tilla.
Deklaratat vijnë në një kohë kur NATO po i kushton vëmendje të shtuar kërcënimeve hibride, të cilat mund të përfshijnë sulme kibernetike, sabotim, dezinformim dhe ndërhyrje në infrastrukturën kritike. /Telegrafi/





