QPS-ja në Pejë rekomandoi që vajza 12-vjeçare të jetonte me babanë, por Gjykata Themelore, me aktgjykimin e korrikut, ia besoi nënës. Pas përshkallëzimit të konfliktit familjar dhe ndërhyrjes së policisë e prokurorisë, vajza përfundoi në strehimore, për t’iu besuar sërish babait me një masë të përkohshme të gjykatës më 18 nëntor. Vendimet dhe qëndrimet institucionale nxjerrin në pah mospërputhjet në vlerësimin e interesit të së njëjtës të mitur. Këto zhvillime vijnë në kohën kur dëshmitë para Komisionit Hetimor Parlamentar zbuluan se QPS-ja në Pejë përballet me qindra lëndë dhe mungesë stafi, ndërsa rasti i Arlinda Zekajt ka vënë në pikëpyetje edhe më të mëdha reagimin e institucioneve. Kush po e garanton realisht sigurinë dhe interesin më të mirë të fëmijëve në Pejë?

Gazeta Insajderi
Vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, më 25 tetor 2026, nxiti protesta, themelimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar dhe dëshmi për lëshime të mundshme institucionale. Rasti vuri nën lupë mënyrën se si trajtohen çështjet e ndjeshme në këtë komunë, veçanërisht ato që përfshijnë fëmijët, konfliktet familjare dhe punën e Qendrës për Punë Sociale (QPS).
Gjatë intervistimit para Komisionit Hetimor Parlamentar, më 18 nëntor 2026, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, foli për zhvillimet rreth rastit Zekaj. Ai pranoi se në komunë ka edhe raste të tjera të rënda, duke përmendur dy raste të lidhura me dhunën dhe rrezikun ndaj viktimave, njëri para e tjetri pas vrasjes së Zekajt. Ndërkohë, zyrtarë të QPS-së raportuan para komisionit për numrin e madh të lëndëve dhe mungesën e stafit.
Në këtë klimë të tensionuar institucionale, në Pejë po zhvillohet edhe një çështje tjetër familjare që lidhet me kujdestarinë e fëmijëve. Dokumentet gjyqësore të kësaj lënde tregojnë se sa të brishta mund të mbeten zgjidhjet për të miturit kur procedurat civile, hetimet penale dhe vendimet për strehim apo kujdestari ndërthuren dhe përplasen në praktikë.
Intervistimet e 18 nëntorit para Komisionit Hetimor Parlamentar nxorën në pah disa probleme strukturore që lidhen drejtpërdrejt me funksionimin e mbrojtjes sociale dhe institucionale në Pejë:
Para komisionit u bë e ditur se QPS-ja në Pejë funksionon me numër të kufizuar punonjësish, përballë qindra lëndëve dhe dhjetëra rasteve aktive të dhunës. Po ashtu, u raportuan procedime disiplinore dhe gjetje të inspektimit lidhur me lëshimet në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt.
Kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri, deklaroi para deputetëve se në Pejë ka edhe raste të tjera të rënda. Ai përmendi situata në të cilat viktimave u është paguar qiraja për strehim, si dhe raste kur janë ndërmarrë masa mbrojtëse pas sulmeve.
Në dëshminë e tij për rastin Zekaj, Muhaxheri foli edhe për dallimin ndërmjet kërkesës për strehim të një fëmije dhe asaj për strehimin e një të rrituri. Kjo çështje bëhet veçanërisht e ndjeshme në rastet kur konfliktet familjare përfshijnë fëmijë të mitur.
Një rast tjetër në Pejë: Vendime të kundërta, strehimorja dhe kthesa me masë të përkohshme
Ndërsa institucionet po përballen me kritika pas rastit Zekaj, dokumentet e një lënde civile për zgjidhje martese dhe besimin e fëmijëve në Gjykatën Themelore në Pejë, ku vendimet janë marrë nga gjyqtari Ilir Berisha, pasqyrojnë një tjetër situatë të ndërlikuar.
Në këtë rast, një vajzë 12-vjeçare kaloi nga një vendim gjyqësor që ia besonte kujdestarinë nënës, në një procedurë penale ndaj babait, më pas në strehimore dhe, në fund, sërish te babai, përmes një mase të përkohshme sigurie.
Sipas akteve të kësaj lënde, më 21 korrik 2026, gjykata vendosi që vajza 12-vjeçare dhe vëllai i saj më i vogël t’i besoheshin nënës për ruajtje dhe edukim. Babait iu caktuan kontakte të rregullta me fëmijët dhe detyrimi për alimentacion prej 200 eurosh në muaj.
Ky vendim u ankimua në Gjykatën e Apelit.
Vendimi nuk përputhej me rekomandimin e QPS-së në Pejë, të dhënë në shkurt të vitit 2025, për vajzën 12-vjeçare, e cila kishte shprehur dëshirën të jetonte me babanë. Ndërkaq, sa i përket djalit më të vogël, ekspertiza psikologjike kishte evidentuar një gjendje të përshkruar si “ndarje lojaliteti” dhe kishte rekomanduar qëndrimin e tij te nëna, me kontakte të lira me babanë.
Arsyetimi i gjykatës dhe akuzat e kundërta të prindërve
Në arsyetimin e aktgjykimit, gjykata vlerësoi se dëshira e vajzës 12-vjeçare nuk mund të ishte vendimtare, pa u marrë parasysh edhe rrethanat e tjera të rastit.
Si pjesë të arsyetimit, gjykata iu referua raportit të një shkolle fillore në Pejë, sipas të cilit vajza kishte 160 mungesa dhe sukses jo të kënaqshëm gjatë vitit shkollor 2025/2026. Gjithashtu, duke u bazuar në komunikimet dhe fotografitë e administruara në procedurë, gjykata vlerësoi se ndaj vajzës kishte ndikim dhe presion psikologjik.
Gjatë procesit gjyqësor, nëna pretendoi se ish-bashkëshorti shfaqte xhelozi, mungesë stabiliteti dhe përdorte substanca narkotike, duke dorëzuar edhe fotografi në mbështetje të pretendimeve të saj.
Në anën tjetër, babai i kundërshtoi këto pretendime. Ai deklaroi se fëmijët ishin keqtrajtuar nga nëna dhe familja e saj, duke thënë se për këto çështje kishte raste të hapura në prokurori.
Përshkallëzimi i rastit dhe vendosja e vajzës në strehimore
Pas vendimit të korrikut, çështja u shoqërua me veprime të prokurorisë, policisë dhe QPS-së.
Më 5 nëntor 2026, prokuroria kërkoi caktimin e paraburgimit ndaj babait, nën dyshimin për veprën penale të “marrjes apo mbajtjes së kundërligjshme të fëmijës”. Sipas pretendimit të prokurorisë, në shtator babai e kishte marrë vajzën pa pëlqimin e nënës dhe e kishte dërguar në drejtim të Malit të Zi.
Mbrojtja e kundërshtoi këtë pretendim. Sipas saj, vajza kishte shprehur pakënaqësi ndaj qëndrimit te nëna, udhëtimi nuk kishte pasur për qëllim arratisjen, ndërsa pas kthimit palët ishin paraqitur në institucionet përkatëse. Mbrojtja theksoi gjithashtu se vajza vazhdonte të kërkonte të jetonte me babanë.
Sipas njoftimeve të QPS-së, të cituara në aktvendimin e gjykatës, pas ndalimit policor të babait më 5 nëntor dhe refuzimit të vajzës për t’u kthyer te nëna, 12-vjeçarja fillimisht u vendos në strehimore.
Aktvendimi i nëntorit: Vajza i besohet përkohësisht babait
Më 17 nëntor, mbrojtja e babait paraqiti propozim në gjykatë. Një ditë më pas, më 18 nëntor, babai iu drejtua me kërkesë urgjente edhe QPS-së, duke pretenduar se institucioni kishte bërë shkelje ligjore dhe duke shprehur shqetësim për gjendjen emocionale të vajzës gjatë qëndrimit në strehimore.
Po atë ditë, më 18 nëntor 2026, Gjykata Themelore në Pejë nxori aktvendim për caktimin e një mase të përkohshme sigurie.
Me këtë vendim, vajza 12-vjeçare iu besua përkohësisht babait, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata e Apelit. Ndërkohë, QPS-së iu caktua detyrimi për të monitoruar zbatimin e kësaj mase.
Në arsyetimin e saj, gjykata vlerësoi se mbajtja e mëtejshme e vajzës në strehimore, kundër vullnetit të saj, ishte e paarsyeshme. Në këtë vlerësim u mor parasysh dëshira e shprehur e 12-vjeçares, si dhe fakti se ndaj babait nuk zhvillohej procedurë penale në të cilën vajza të figurojë si palë e dëmtuar.
Rasti i Arlinda Zekajt dhe zhvillimet në këtë çështje tjetër familjare nxjerrin në pah sfidat me të cilat përballen institucionet në Pejë në trajtimin e rasteve të ndjeshme, veçanërisht kur në qendër janë fëmijët e mitur.
Përtej vendimeve gjyqësore dhe procedurave institucionale, mbetet çështja e zbatimit të tyre në praktikë dhe e garantimit të sigurisë e mirëqenies së fëmijëve. Në rastin konkret, vendimet e ndryshme, rekomandimet e QPS-së, vendosja në strehimore dhe masa e përkohshme e gjykatës tregojnë kompleksitetin e situatës dhe nevojën për përgjegjësi nga krejt këto institucione.
Burimi: Insajderi





