Ish-futbollisti profesionist islandez, Rurik Gislason, ka zbuluar një nga periudhat më të dhimbshme të jetës së tij, duke treguar se si u detyrua të kthehej në Gjermani për shkak të obligimeve kontraktuale me klubin, duke humbur kështu varrimin e nënës së tij.

Në një intervistë për emisionin “My Story” në televizionin Sky, 38-vjeçari rrëfeu ngjarjen e rëndë që ndodhi në prill të vitit 2020, kur nëna e tij, Thora, ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në atë kohë, Gislason udhëtoi drejt Islandës për të qëndruar pranë saj. Nëna e tij, në shtratin e vdekjes, i kishte kërkuar që ta bartte arkivolin e saj nga kisha gjatë ceremonisë mortore. Ai i premtoi se do ta bënte këtë, por vetëm dy ditë më vonë ajo ndërroi jetë.
Megjithatë, tragjedia e tij personale u përball me një tjetër goditje. Gjatë kohës kur po përgatitej për varrimin e nënës, ish-klubi i tij, SV Sandhausen, ku luante në Bundesliga 2, e kontaktoi dhe i kërkoi të kthehej në Gjermani për t’iu bashkuar stërvitjeve.
“Më pas telefonoi klubi. Më thanë: ‘Duhet të kthehesh në Gjermani për stërvitje. Ti ke kontratë këtu’”, rrëfeu Gislason në bisedën me moderatorin Riccardo Basile.
Ish-reprezentuesi islandez pranoi se vendosi të kthehej, pjesërisht edhe nga frika e pasojave që mund të kishte nëse nuk i përmbahej kërkesës së klubit.
Vendimi i kushtoi jashtëzakonisht shumë, pasi nuk arriti të merrte pjesë në ceremoninë mortore të nënës së tij.
“Në fund, varrimin e nënës e pashë në YouTube, nga shtëpia”.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, Sandhausen fillimisht i kishte dhënë leje të veçantë për të udhëtuar në Islandë. Megjithatë, pas kthimit në Gjermani, Gislason ishte përjashtuar nga stërvitjet me ekipin.
Kontrata e tij përfundoi në qershor të vitit 2020 dhe nuk u vazhdua. Ish-drejtori sportiv i klubit, Mikayil Kabaca, kishte bërë edhe një deklaratë kritike për sezonin e futbollistit islandez.
“Kushdo që ka një sezon si ai i Rurikut, duhet ta analizojë mirë veten”, kishte deklaruar Kabaca në atë kohë.
Gislason i dha fund karrierës si futbollist profesionist në nëntor të vitit 2020. Në vitin 2024, në një intervistë për gazetën Bild, ai kishte treguar se vdekja e nënës ishte një prej arsyeve që ndikuan në vendimin për t’u pensionuar nga futbolli./Telegrafi/




