“Rikthim të NATO-s në kufijtë e vitit 1997” dhe jo vetëm: Kërkesat e reja të Putinit për paqe në Ukrainë dhe dy përgjigjet e prera të Perëndimit

“Rikthim të NATO-s në kufijtë e vitit 1997” dhe jo vetëm: Kërkesat e reja të Putinit për paqe në Ukrainë dhe dy përgjigjet e prera të Perëndimit

“Rikthim të NATO-s në kufijtë e vitit 1997” dhe jo vetëm: Kërkesat e reja të Putinit për paqe në Ukrainë dhe dy përgjigjet e prera të Perëndimit

Dy muaj para se Rusia të fillonte pushtimin e Ukrainës në fillim të vitit 2022, ajo paraqiti një sërë kërkesash gjithëpërfshirëse, përfshirë atë që NATO t’i tërhiqte trupat e saj në pozicionet që mbanin në vitin 1997, përpara se aleanca perëndimore të zgjerohej drejt kufijve të Rusisë.

Sponsor 3M Express

Dhe tani, në negociatat me dyer të mbyllura që u zhvilluan këtë javë me të dërguarit e presidentit Donald Trump lidhur me mënyrën për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, thuhet se rusët e kanë ringjallur atë qëndrim — në disa raste fjalë për fjalë — në përpjekje për të arritur një fitore më të madhe, pas pesë vitesh dhe qindra mijëra vdekjesh.

Qëndrimi ‘i ricikluar’ i Moskës u parashtrua në një dokument që zyrtarët rusë e shpërndanë këtë javë, sipas një kopjeje të siguruar nga “The New York Times” përmes një personi të përfshirë në bisedime, përcjell Telegrafi.

Putini ‘riciklon’ kërkesat

Madje, dokumenti, vërtetësia e të cilit u konfirmua nga një person tjetër i njohur me negociatat, tregon se presidenti Vladimir Putin nuk ka lëvizur pothuajse aspak nga objektivat e tij kryesore, edhe pas më shumë se 20 muajsh diplomaci nga administrata e Donald Trump për t’i dhënë fund konfliktit.

Dokumenti, i cili parashtron qëndrimin e Rusisë, është një dokument që në gjuhën diplomatike quhet një “non-paper” (dokument jozyrtar) dhe shërben për të paraqitur pikëpamjet e njërës palë në mënyrë jozyrtare.

Bëhet fjalë për një dokument të datës 10 nëntor që ofron detaje të reja mbi qëndrimin e ashpër që mbajti Kremlini në bisedimet e kësaj jave në Abu Dabi, Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kujtojmë se udhëheqësi rus ka këmbëngulur vazhdimisht që ato që ai i quan “shkaqet rrënjësore” të luftës — pakënaqësitë e shumta të Rusisë si ndaj NATO-s, ashtu edhe ndaj Ukrainës — të trajtohen përpara se ai të ndalojë luftimet.

Dhe duke përsëritur kërkesat e Rusisë të dhjetorit 2021, dokumenti thuhet se thekson se vendet e NATO-s duhet të përjashtojnë mundësinë e zgjerimit të mëtejshëm të aleancës së tyre, si dhe të heqin dorë nga “çdo aktivitet ushtarak” në Ukrainë dhe gjetkë në “Evropën Lindore, Kaukazin Jugor dhe Azinë Qendrore”.

Veç kësaj, në vitin 2021, Rusia kërkonte që NATO-ja të hiqte dorë nga marrëveshjet e saj për “ndarjen e armëve bërthamore” (nuclear sharing) – marrëveshje që prej kohësh u kanë mundësuar aleatëve të SHBA-së në Evropë të përfitojnë nga mbrojtja që ofrojnë armët bërthamore amerikane.

Gjithashtu, dokumenti tregon gjithashtu se Rusia kërkon që Franca dhe Britania të përjashtojnë mundësinë e përdorimit të armëve të tyre bërthamore për të mbrojtur vendet e tjera evropiane – një koncept që është diskutuar gjerësisht në Evropë gjatë vitit të fundit, pjesërisht për shkak të shqetësimeve lidhur me gatishmërinë e Donald Trump për t’i ardhur në ndihmë NATO-s.

Dokumenti tregon se synohet gjithashtu të ndërpritet ndihma për Ukrainën, duke parashikuar dhënien fund të “furnizimit të Ukrainës me çdo lloj arme, pajisje ushtarake apo produkti perëndimor”.

Sipas dokumentit, Rusia do ta pranonte anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian vetëm me kushtin që ajo të mos marrë pjesë në politikën e përbashkët të mbrojtjes të bllokut.

Kërkesa e Rusisë për tërheqje të NATO-s dhe përgjigja e shefit të Aleancës

Për më tepër, duke pasqyruar kërkesat e Rusisë të vitit 2021 – para fillimit të pushtimit të Ukrainës – dokumenti thekson se Rusia kërkon që NATO-ja t’i tërheqë trupat dhe bazat e saj drejt kufijve që aleanca kishte në vitin 1997, pra përpara se të fillonte zgjerimin e saj në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Kujtojmë se që nga viti 1997, 16 vende i janë bashkuar NATO-s.

Polonia, Republika Çeke dhe Hungaria u bënë anëtare në vitin 1999, të ndjekura nga Bullgaria, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Estonia, Letonia dhe Lituania në vitin 2004.

Shqipëria dhe Kroacia u anëtarësuan në vitin 2009, Mali i Zi në vitin 2017 dhe Maqedonia e Veriut në vitin 2020.

Pas fillimit të pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia, NATO u zgjerua më tej, me anëtarësimin e Finlandës në vitin 2023 dhe të Suedisë në vitin 2024.

Ndërkohë, një përgjigje ka ardhur nga shefi i NATO-s, Mark Rutte.

Ndonëse ka refuzuar të komentonte mbi përmbajtjen e negociatave, ai është shprehur kundër idesë që Rusisë t’i jepet mundësia të ndikojë në vendimet e NATO-s.

“Kjo nuk është një temë diskutimi”, ka thënë shefi i aleancës.

Rutte theksoi se aleanca i kishte hedhur poshtë prerazi kërkesat “e papranueshme” të Rusisë – të bëra para fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022 – për të tërhequr forcat nga Evropa Lindore dhe për të mos pranuar anëtarë të rinj.

“Ky ka qenë gjithmonë qëndrimi i palëkundur i aleancës”, ka theksuar ai.

Amerikanët kërkojnë që rusët të shohin drejt së ardhmes

Megjithatë, thuhet se dokumenti pasqyron qëndrimin fillestar të Rusisë; dhe zyrtarët rusë gjatë bisedimeve lanë të kuptohet se Putin mund të tregojë ende fleksibilitet, sipas dy personave të përfshirë në bisedime, të cilët folën në kushte anonimiteti për të përshkruar këto diskutime të ndjeshme.

Pavarësisht kësaj, zyrtarët rusë në Abu Dabi e bënë të qartë se e shihnin Luftën e Ftohtë – si dhe aleancën e udhëhequr nga sovjetikët, të njohur asokohe si Traktati i Varshavës – si një model se si mund të duket Evropa pasi të përfundojë lufta në Ukrainë.

Madje, në Abu Dabi, pala ruse argumentoi se sferat e veçanta të ndikimit të SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik gjatë asaj epoke – si dhe kanalet e komunikimit e marrëveshjet që shoqëronin këtë rend – në fakt e ulnin rrezikun e konfliktit, sipas personave që ishin të pranishëm kur u bënë këto deklarata.

Përkundër kësaj, një zyrtar amerikan ka thënë se dy zyrtarët amerikanë u kishin thënë rusëve se shumëçka kishte ndryshuar që nga dhjetori i vitit 2021, kur vendi i tyre kërkoi një traktat të ri që do t’i jepte fund pjesës më të madhe të veprimtarisë ushtarake të NATO-s në një pjesë të gjerë të Evropës Lindore dhe Qendrore.

Në këtë drejtim, sipas zyrtarit amerikan – i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së negociatave – amerikanët i nxitën rusët që të shohin drejt së ardhmes.

Si konkluzion mund të themi se fakti që qëndrimi fillestar i Rusisë për sigurinë evropiane këtë javë mbeti pothuajse i pandryshuar krahasuar me pesë vite më parë, tregon se sa e madhe është sfida për të gjetur një kompromis që do ta bindte Putinin t’i jepte fund luftës së tij.

Kujtojmë se vendimi i Rusisë për të shpalosur këtë qëndrim gjithëpërfshirës vjen në një kohë kur Putin pritet të takohet me Trumpin javën e ardhshme në Shenzhen, Kinë, në kuadër të një takimi vjetor të ekonomive të rajonit Azi-Paqësor. /Telegrafi/

Lexo edhe

Konjufca në Konferencën e Frankofonisë: Kosova synon anëtarësimin e plotë

Konjufca në Konferencën e Frankofonisë: Kosova synon anëtarësimin e plotë

Majko: Një mijë orë filmime kompromentuese për persona brenda PS-së, të largohen pa na dëmtuar

Majko: Një mijë orë filmime kompromentuese për persona brenda PS-së, të largohen pa na dëmtuar

Askush nuk duhej t’i shihte këto vetura – Ford zbulon koleksionin e pazakontë

Askush nuk duhej t’i shihte këto vetura – Ford zbulon koleksionin e pazakontë