Gjiganti amerikan i automobilave, Ford, ka prezantuar një koleksion të veçantë me mbi 100 vetura historike, prototipe të rralla dhe modele eksperimentale, disa prej të cilave nuk janë parë kurrë më parë nga publiku.

Koleksioni, i quajtur Ford Vault, ndodhet në një ish-qendër magazinimi të Amazonit, mes qyteteve Ann Arbor dhe Detroit, në shtetin amerikan të Michiganit.
Ndryshe nga muzetë tradicionalë, kjo hapësirë përfshin jo vetëm modelet më të njohura të Fordit, por edhe automjete që ishin përdorur për testime dhe që fillimisht duhej të shkatërroheshin.
Një ndër modelet më interesante është një Ford Mustang GT eksperimental, i pajisur me motor V10, i cili ishte përdorur gjatë zhvillimit të modeleve Cobra R dhe Ford GT.
Sipas përfaqësuesve të kompanisë, automjeti ishte fshehur për vite të tëra në magazina për t’i shpëtuar shkatërrimit.
Ford e ka modernizuar së fundmi dhe vazhdon ta përdorë për qëllime inxhinierike.
Në koleksion gjenden gjithashtu një Ford Contour SVT i vitit 2000, një kamionçinë Ford e vitit 1934 në pronësi të Jay Lenos, si dhe disa koncepte të pazakonta, përfshirë Ford Cougar II dhe SYNus.
Një tjetër veçori është ekspozimi për herë të parë i një modeli të hershëm të Ford Bronco, i krijuar gjatë përpjekjeve për rikthimin e këtij automjeti në treg.
Ford planifikon që koleksioni të hapet edhe për publikun, por aktualisht po punon me autoritetet lokale për të përmbushur kërkesat ligjore dhe të sigurisë.
Ende nuk është bërë e ditur se kur vizitorët do të mund t’i shohin nga afër këto automjete të rralla. /Telegrafi/





