Kompania britanike Audacious Automotive ka prezantuar modelin IV, një interpretim modern të legjendarit Audi Quattro, i cili vjen me motor V8, deri në 750 kuaj fuqi dhe një shpejtësi maksimale të pretenduar prej 322 km/h.

Modeli i ri ndërthur bazën mekanike të Audi RS4 B7, të prodhuar nga viti 2006 deri në vitin 2008, me dizajnin karakteristik të Quattro-s me bazë të shkurtër të rrotave.
Blerësit do të kenë mundësi të zgjedhin mes karrocerisë origjinale të Quattro-s dhe një karrocerie të re prej fibrash karboni. Ky i fundit pritet të jetë konfigurimi më i kërkuar, duke përbërë rreth 80 për qind të prodhimit.
Edhe pse Audi Quattro u bë i famshëm për motorin me pesë cilindra, Audacious ka zgjedhur motorin V8 4.2-litërsh të RS4 si bazë për projektin e saj. Sipas kompanisë, ky motor ofron kombinimin e duhur mes performancës moderne dhe përvojës tradicionale të drejtimit.
Modeli do të ofrohet në katër konfigurime të motorit. Versioni fillestar, me kompresor mekanik, do të zhvillojë 600 kuaj fuqi, ndërsa paketa Stage Two do ta rrisë fuqinë në 750 kuaj fuqi, falë përforcimeve të brendshme dhe përmirësimeve në sistemet e ftohjes dhe furnizimit me karburant.
Versioni më ekstrem do të arrijë deri në 10 mijë rrotullime në minutë. Të gjitha konfigurimet do të pajisen me transmision manual me gjashtë shpejtësi.
Sa i përket peshës, versionet me karroceri origjinale pritet të peshojnë nga 1.400 deri në 1.450 kilogramë, ndërsa ato me karroceri prej fibrash karboni rreth 1.200 kilogramë.
Dizajni i jashtëm është frymëzuar nga Audi Quattro i Grupit B në garat rally, me elemente që kujtojnë edhe modelin garues Audi 90 IMSA GTO. Ndërkohë, pjesa e brendshme është ridizajnuar tërësisht, duke ruajtur stilin minimalist dhe analog të modelit klasik.
Audacious ka njoftuar se do të prodhojë vetëm 50 ekzemplarë në selinë e saj në Edinburg të Skocisë. Dërgesat e para pritet të fillojnë në fund të vitit të ardhshëm, ndërsa procesi nga porosia deri në përfundimin e veturës mund të zgjasë rreth tre vjet.
Çmimi fillestar i modelit është 350 mijë funte, pa përfshirë TVSH-në, veturën donatore, transportin, regjistrimin dhe pajisjet shtesë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




